Anglia ka siguruar një vend në gjysmëfinalen e Kupës së Botës 2026 pas fitores 2-1 ndaj Norvegjisë, me Jude Bellinghamin që ishte heroi i ndeshjes duke realizuar të dy golat e “Tre Luanëve”.
Kualifikimi në fazën tjetër të turneut u sjell futbollistëve anglezë edhe shpërblime financiare, pasi ata marrin bonus për çdo paraqitje me fanellën e Kombëtares.
Megjithatë, këto para nuk përfundojnë në llogaritë personale të lojtarëve. Sipas Mundo Deportivo, që nga viti 2007 futbollistët e Anglisë kanë vendosur unanimisht t’i dhurojnë 100 për qind të bonuseve të tyre për Fondacionin e Futbollistëve të Anglisë, organizatë që i përdor fondet për projekte dhe kauza bamirëse.
Tradita u nis pothuajse dy dekada më parë nga emra të njohur si David Beckham, Gary Neville, Steven Gerrard dhe John Terry, ndërsa është ruajtur nga çdo brez që ka përfaqësuar Anglinë.
Gjatë këtyre 19 viteve, futbollistët anglezë kanë dhuruar gati 20 milionë euro për bamirësi, duke e shndërruar këtë iniciativë në një nga traditat më të veçanta në futbollin ndërkombëtar.
Bonusi që një futbollist i Anglisë përfiton për çdo ndeshje me kombëtaren është rreth 2.400 euro, por për lojtarët anglezë përfaqësimi i vendit shihet si privilegj dhe jo si burim fitimi.
Për këtë arsye, edhe brezi aktual ka vendosur të vazhdojë traditën, duke dhuruar të gjitha bonuset për kauza humanitare. /Telegrafi/
