Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka bërë të ditur se të enjten do të mbahet seancë plenare në Kuvendin e Kosovës, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.
Ajo ka njoftuar se, përveç pikave të zakonshme të rendit të ditës, deputetët do të shqyrtojnë përzgjedhjen e dy anëtarëve të bordit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), si dhe formimin e Komisionit për bordin e Radio Televizionit të Kosovës (RTK).
Nagavci ka bërë të ditur se, në koordinim me grupet e tjera parlamentare, është arritur pajtimi që në rend dite të përfshihet edhe në lexim të dytë Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit.
“S’ka asnjë dyshim që është më interes vital që të kemi një harmonizim të të gjitha institucioneve”, ka deklaruar Nagavci.
Duke folur për procesin gjyqësor ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe fazën e Apelit, ajo ka theksuar nevojën për koordinim më të madh.
Nagavci ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje ka shprehur rezervat e saj lidhur me trajtimin e kësaj çështjeje përmes projektligjit, por ka mbështetur deputetët që kanë vlerësuar se kjo është rruga e duhur.
“Ne kemi shprehur rezervat tona në adresimin e kësaj çështjeje në projektligj… gjithsesi ne kemi dhënë mbështetje deputetëve që kanë besuar se kjo është rruga e duhur”, ka shtuar ajo.