Sipas raportimeve të mediumit spanjoll Diario Sport, te Barcelona ka nisur një debat i brendshëm për minutat e pakta që po merr sulmuesi egjiptian Hamza Abdelkarim.
18-vjeçari shihej si një nga talentet që mund të shpërthenin këtë sezon, pasi la përshtypje të mira gjatë fazës përgatitore parasezonale me katalunasit. Paraqitjet e tij bindëse madje i siguruan edhe një rinovim të kontratës me kushte më të mira.
Megjithatë, sezoni nuk ka nisur ashtu siç pritej për të riun, i cili deri më tani ka regjistruar vetëm dy paraqitje, duke grumbulluar gjithsej 12 minuta në fushë.
Një nga arsyet kryesore për hapësirën e kufizuar të Abdelkarimit është konkurrenca e fortë në repartin ofensiv.
Forma e mirë e Raphinhas, i cili po luan në një rol të ri si qendërsulmues, si dhe paraqitja në skenë e Gabriel Jesusit, ia kanë vështirësuar egjiptianit rrugën drejt më shumë minutave.
Pavarësisht kësaj, trajneri Hansi Flick e vlerëson lart talentin e 18-vjeçarit, veçanërisht përkushtimin dhe profesionalizmin që tregon në stërvitje.
Megjithatë, mbetet e paqartë nëse ai do të arrijë të fitojë një rol më të rëndësishëm në ekip, duke pasur parasysh konkurrencën e madhe për një vend në formacion.
Abdelkarim ka deklaruar më herët se është i gatshëm të luajë edhe për ekipin rezervë të Barcelonës, nëse kjo do të ishte e nevojshme për zhvillimin e tij dhe për të fituar më shumë minuta në fushë. /Telegrafi/

