Kosova dhe Komisioni Evropian mbajtën takimin vjetor të komitetit monitorues të Instrumentit të Asistencës së Para-Anëtarësimit.
Takimi mes përfaqësuesve të Kosovës dhe të Komisionit Evropian u fokusua në zbatimin e mbështetjes financiare dhe teknike të BE-së për Kosovën në kuadër të IPA-s, si dhe në avancimin e reformave që mbështesin rrugën e integrimit të Kosovës në BE.
E ofruar prej vitit 2007 dhe e përforcuar më tej në vitin 2024 nga Plani i BE-së për Rritje Ekonomike për Ballkanin Perëndimor, asistenca e IPA-s është një nga instrumentet kryesore të Bashkimit Evropian për mbështetjen e zhvillimit të Kosovës.
Florim Canolli, Koordinatori Kombëtar për IPA-n, dhe Jiri Plecity, Shefi i Njësisë për Serbinë dhe Kosovën në Drejtorinë e Përgjithshme të Komisionit Evropian për Zgjerim dhe Fqinjësinë Lindore, bashkëkryesuan sot në Prishtinë takimin vjetor të komitetit monitorues të Instrumentit të Asistencës së Para-Anëtarësimit (IPA).
“Diskutimet trajtuan sfidat horizontale dhe progresi i përgjithshëm në implementimin e përkrahjes nga BE-ja në mbarë sektorët, duke adresuar si kriteret politike ashtu edhe ato ekonomike për integrimin në BE. Fokus të posaçëm në çështjet themelore, duke përfshirë sundimin e ligjit, reformën e administratës publike, reformat strukturore, zhvillimin e sektorit privat, kapitalin njerëzor dhe shoqërinë gjithëpërfshirëse. Në takim u shqyrtuan edhe investimet e BE-së në Kosovë, të kanalizuara përmes programeve të Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor (ËBIF) dhe të Bashkëpunimit Ndërkufitar (CBC).
Të dyja palët nënvizuan rëndësinë e zbatimit, monitorimit dhe përcjelljes efektive të asistencës së BE-së. Komisioni Evropian mirëpriti përkushtimin e Qeverisë për forcimin e kapacitetit absorbues të Kosovës dhe përmirësimin e koordinimit të përgjithshëm të donatorëve.
Duke vlerësuar progresin e arritur në zbatimin e asistencës së IPA-s, Komisioni Evropian theksoi rëndësinë e zbatimit në kohë të të gjitha projekteve të dakorduara për të siguruar që mbështetja e BE-së të sjellë përfitime të prekshme për qytetarët dhe bizneset. Gjithashtu, u theksua se disa projekte sfiduese kërkojnë veprime të menjëhershme nga autoritetet relevante për të siguruar zbatimin e tyre të suksesshëm dhe për t’i avancuar reformat esenciale për rrugën evropiane të Kosovës.
Kosova riafirmoi zotimin për monitorim nga afër të zbatimit të projekteve të dakorduara dhe për vazhdimin e punës drejt realizimit efektiv të reformave të mbështetura nga Bashkimi Evropian.
Kosova dhe Komisioni Evropian u dakorduan të vazhdojnë forcimin e bashkëpunimit për maksimizimin e ndikimit të asistencës së IPA-s dhe për mbështetjen e zbatimit më efiçient të mundshëm të reformave.
Me më shumë se 3.7 miliardë euro të investuara në Kosovë që nga viti 1999, BE-ja është partneri më i fuqishëm dhe më i besueshëm i Kosovës dhe ofruesi më i madh i asistencës financiare”, thuhet në njoftimin e përbashkët të Qeverisë në detyrë të Kosovës dhe Komisionit Evropian.
