Deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, ka akuzuar ministren Mimoza Kusari-Lila se nuk e di se çfarë është opozita.
Në foltoren e Kuvendit, ai tha se ka qenë në opozitë për 10 vjet, kurse duke iu drejtuar Kusari-Lilës, tha se ajo ka qenë në opozitë vetëm kur ka qenë me LDK-në.
“Ky deputet që është përballë juve [flet për veten, shën.red.] ka qenë 10 vjet me ju në opozitë, 2007-2017. Zonja që foli, ministrja (Kusari-Lila), ka qenë në opozitë vetëm kur ka qenë me LDK-në, kurrë në jetë të vetë nuk ka qenë në opozitë”.
“Unë do të vi me emra, por lexoni lajmet dhe shikoni se cili është punësimi momental në qeveri, në institucione të pavarura., dhe cili profesionist hyri në institucionet kryesore. Kjo është kërkesë decidive për ju, sepse ne e dimë saktësisht listën se kush ku është”.
Duke iu drejtuar ministres Kusari-Lila, Tahiri tha se “ju keni person me aktakuzë në ministrinë e juaj, kundërligjshëm e mbani. Pse e mbani?”.
“Si ka mundësi që funksionet kryesore në bordet e pavarura, që duhet me qenë njerëz profesionistë, me qenë njerëz që kanë qenë kandidatë të partisë suaj. Mosni kështu, ju keni ardhur me atë zotim, mos e merrni personalisht sepse nuk keni qenë në opozitë, keni qenë në shoqëri civile”.
“Ne kemi qenë në opozitë 10 vjet, 2007-2010, e dinë kush janë. Jam duke i lypë do, por nuk po shoh shumë, të tillë që kemi nejt në shatora bashkë. Jo, jo, nuk jeni. Keni ik prej parimit themelor për çka keni ardhur në pushtet: luftës kundër korrupsionit, luftës kundër njerëzve me aktakuza, kundër familjarizimit dhe nepotizmit, dhe luftës kundër klientelizmit partiak”, është shprehur Tahiri.
Ndaj kësaj deklarate, Kusari-Lila foli në foltore, duke thënë se deklarimet e tij janë të pavërteta se “këta s’dinë çka është opozita”.

