Zëvendëspresidenti i Odës Ekonomike Zvicër–Kosovë, Butrint Ajredini, ka thënë se investitorët zviceranë shpesh krijojnë një perceptim tjetër për Kosovën pasi e vizitojnë vendin dhe njihen nga afër me mundësitë për të bërë biznes.
Në “Përballje Podcast”, me kryeredaktorin e Telegrafit, Ajredini tregoi për rastin e një investitori zviceran, të cilin e kishin bindur të investonte në sektorin e patundshmërive në Kosovë.
– YouTube www.youtube.com
Sipas tij, investitori kishte përvojë në disa vende të botës, por ishte befasuar pozitivisht nga kushtet dhe mënyra e zhvillimit të projekteve në Kosovë.
“E kemi bindur një investitor zviceran të vijë dhe të investojë në Kosovë. Ai ka investuar në shumë vende të botës dhe shpesh më thotë: ‘Sikur ta kisha ditur më herët, do të kisha investuar më shumë në Kosovë, sepse këtu gjërat ecin më shpejt dhe më lehtë’”, deklaroi Ajredini, shkruan Telegrafi.
Nga remitencat te investimet, Ajredini: EFTA hap një kapitull të ri ekonomik mes Kosovës dhe Zvicrës

Ai tha se një nga sfidat kryesore mbetet perceptimi që investitorët e huaj kanë për Kosovën, veçanërisht në aspektin e sigurisë.
Ajredini vlerësoi se ky perceptim nuk përputhet me realitetin, duke e cilësuar Kosovën si një ndër vendet më të sigurta.
Sipas tij, kontakti i drejtpërdrejtë me vendin, institucionet dhe komunitetin e biznesit ndihmon në ndryshimin e këtij perceptimi dhe në rritjen e interesimit për investime.
“Kur një zviceran vjen në Kosovë, befasohet për të mirë. Ka shumë kureshtje dhe interes për mundësitë që ofron Kosova”, u shpreh Ajredini.
Ai theksoi se roli i Odës Ekonomike Zvicër–Kosovë është t’u ofrojë investitorëve informacion dhe mbështetje rreth procedurave ligjore, hapjes së kompanive, sistemit tatimor dhe mundësive konkrete për investim.
“Ideja jonë është të krijojmë besim për investime në Kosovë, përmes këshillave dhe informimit ligjor: si hapet një kompani, si funksionojnë tatimet dhe cilët janë hapat konkretë për të investuar”, tha ai.
Ndër përparësitë që Kosova u ofron investitorëve, Ajredini përmendi tatimin prej 10 për qind në fitim, mungesën e tatimit mbi dividendën, fuqinë punëtore profesionale dhe koston më të favorshme të operimit.
Ai vlerësoi se lidhjet e fuqishme ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës, së bashku me praninë e madhe të diasporës shqiptare, mund të shndërrohen në bashkëpunim më të madh ekonomik dhe në hapjen e vendeve të reja të punës./Telegrafi/