Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar pasi është sulmuar një patrullë e Policisë së Kosovës në Komunën e Leposaviqit.
Sveçla ka shkruar në Twitter se dy persona kanë goditur me dashje veturën e policisë dhe ka bërë të ditur se dhuna ndaj policëve nuk do të tolerohet.
“I brengosur thellë për incidentin e fundit në Leposaviq. Dy persona me veturë tentuan t’i shmangen postbllokut policor. Ata goditën me dashje veturën e PK-së dhe vunë në rrezik jetën e policëve. Policët e PK-së u detyruan të qëllojnë në drejtim të automjetit për të neutralizuar situatën”, ka shkruar Sveçla.
Ai e ka vazhduar cicërimën në Twitter duke thënë se tashmë kanë nisur hetimet për këtë rast nga Inspektorati Policor i Kosovës.
“Dua të jem i qartë: asnjë formë dhune ndaj policisë sonë nuk do të tolerohet. Mbrojtja e qytetarëve dhe zbatimi i ligjit është prioriteti ynë kryesor”, ka përfunduar ai.
Patrulla e Policisë së Kosovës, është sulmuar gjatë ditës së sotme në vendin e quajtur Bistricë në Komunën e Leposaviqit.
Sipas njoftimit të policisë, njësia policore ka qenë në pikë kontrolli dhe gjatë realizimit të detyrave ka tentuar ta ndalojë një veturë, e cila gjatë lëvizjes ka goditur automjetin e Policisë së Kosovës.