Shefi i Grupit të Asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Gëzim Sveçla, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Administrative për pezullimin e vendimit të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, për themelimin e kolegjiumit që trajton aplikimet për leje ndërtimore.
Sveçla e ka cilësuar vendimin e gjykatës si “lajm shumë të mirë”, ndërsa ka rikujtuar kundërshtimet e tij dhe të grupit të asamblistëve të LVV-së ndaj këtij mekanizmi.
“Lajm shumë i mirë vendimi i Gjykatës Administrative për pezullimin e vendimit të Përparim Ramës për themelimin e kolegjiumit që trajton aplikimet për leje ndërtimore”, ka shkruar Sveçla.
Sipas tij, një kolegjium i ngjashëm ishte themeluar edhe gjatë mandatit të kaluar dhe, sipas pretendimit të tij, kishte funksionuar si organ paralel ndaj Drejtorisë së Urbanizmit.
“Kujtojmë se një kolegjium i tillë ishte themeluar edhe në mandatin e kaluar dhe kishte shërbyer si organ paralel ndaj Drejtorisë së Urbanizmit”, ka deklaruar ai.
Sveçla ka akuzuar kryetarin e Prishtinës se përmes këtij kolegjiumi synohej që procesi i lejeve ndërtimore të kalonte përmes tij dhe personave të afërt me të.
“Ky kolegjium ka vetëm një qëllim: çdo leje ndërtimore të kalojë nëpër duart e Përparim Ramës dhe njerëzve të tij të afërt”, ka shkruar Sveçla.
Ai ka pretenduar gjithashtu se pjesë e këtij kolegjiumi ka qenë edhe shefi i kabinetit të kryetarit, ndërsa në shumicën e rasteve, sipas tij, edhe vetë Rama ka marrë pjesë si “ekspert i jashtëm”.
“Prej ditës kur është bërë publik ky organ, e kemi kundërshtuar dhe kemi kërkuar zhbërjen e tij”, ka përfunduar Sveçla. /Telegrafi/