Shefi i Grupit të Asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Gëzim Sveçla, ka kritikuar kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, lidhur me protestën e paralajmëruar për nesër, më 1 shtator.
Sveçla ka akuzuar Ramën për dështime në qeverisjen e kryeqytetit dhe ka renditur një varg çështjesh për të cilat, sipas tij, kryetari i Prishtinës duhet të japë përgjegjësi.
Rama fton qytetarët në protestë më 1 shtator: Qeveria Kurti u ka marrë komunave mbi 344 milionë euro

Në reagimin e tij, Sveçla ka përmendur tenderin 12-milionësh të “Arkitektit të Kryeqytetit”, çështjen e legalizimeve, procedurat gjyqësore dhe përmbarimore, pronat në Badoc, situatën financiare të NPB-së dhe “Prishtina Parking”, si dhe gjetjet e Auditorit.
Ai ka kritikuar gjithashtu gjendjen e trafikut, menaxhimin e mbeturinave dhe projektet kapitale në kryeqytet.
“Përparim Rama nesër proteston kundër Qeverisë sepse kur nuk ke çka t’u thuash qytetarëve për qytetin që e ke fundosur, e vetmja rrugë që të mbetet është të bësh zhurmë para Qeverisë”, ka shkruar Sveçla.
Në reagimin e tij, ai e ka cilësuar Ramën si “nga dështues në protestues”, duke e akuzuar për përpjekje për ta zhvendosur përgjegjësinë për problemet e Prishtinës te niveli qendror. /Telegrafi/
