Policia e Kosovës ka bërë të ditur se një burrë është sulmuar seksualisht në Prishtinë.
Rasti ka ndodhur të hënën, në ora 22:20.
“Prishtinë 27.08.2026-22:20. Viktima mashkull kosovar, ka raportuar se derisa ka qenë duke ecur në rrugë është sulmuar seksualisht nga një person i panjohur”, thuhet në raportin policor.
Policia thekson se rasti po hetohet.
Personi që është sulmuar seksualisht ka njoftuar për Telegrafin se si ka ndodhur rasti.
Ai u bën apel qytetarëve që të kenë kujdes, ndërsa njoftoi se rasti ka ndodhur rreth orës 22:00 në parkun “Arbëria”.
Sipas dëshmisë së tij, derisa ishte duke ecur në shtegun e parkut një burrë rreth 50-vjeçar i është afruar dhe ka filluar të bisedonte me të për tema të ndryshme.
Sipas tij, në një pjesë të shtegut ku nuk kishte ndriçim, personi e ka kapur për krahu dhe me dorën tjetër e ka prekur në pjesën intime.
Gjatë kohës sa ishte duke ikur, ai thotë se ka takuar një polic, të cilën edhe e ka njoftuar. Tutje, ai theksoi se rastin e ka lajmëruar edhe në stacion policor.
Telegrafi për shkak të ndjeshmërisë së rastit nuk ka publikuar pjesën tjetër të raportimit të tij.
Ndryshe, Policia në raportin 24 orësh thekson se rasti është në hetim. /Telegrafi/
