Sulmet ruse gjatë natës në lindje të Ukrainës kanë shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike, pavarësisht njoftimit të presidentit amerikan, Donald Trump, për atë që ai e cilësoi si “armëpushim energjetik”.
Kryetari i Harkivit, qytetit të dytë më të madh në Ukrainë, Igor Terekhov, ka bërë të ditur se dronët rusë kanë goditur një ndërtesë të lartë banimi gjatë natës, duke plagosur të paktën pesë persona.
Sipas Terekhovit, nga sulmi janë shkatërruar katet e shtatë, të tetë dhe të nëntë të ndërtesës. Në vendin e ngjarjes ka shpërthyer zjarr, ndërsa operacionet e kërkim-shpëtimit janë duke vazhduar.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, fillimisht ka shprehur habi për njoftimin e Trumpit të dielën për një armëpushim energjetik, por më pas ka deklaruar se Kievi është i gatshëm ta mbështesë atë, nëse edhe Moska pajtohet.
Deri më tani, Rusia nuk ka reaguar ndaj këtij propozimi, i cili do të nënkuptonte ndërprerjen e sulmeve të të dyja palëve ndaj objekteve energjetike të njëra-tjetrës.
Trump i ka bërë thirrje Ukrainës që të ndalë sulmet ndaj infrastrukturës ruse të naftës, në mënyrë që Moska të zbatojë një marrëveshje të arritur së fundmi për furnizimin e SHBA-së dhe tregut global me naftë dizel ruse.
Që nga nisja e pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia, në vitin 2022, Moska ka intensifikuar sulmet ndaj infrastrukturës energjetike ukrainase gjatë çdo dimri.

