Është pjesa më e lartë e objektit, port ë premten u pa në tokë.
E shkak për këtë, ishin erërat e forta të së enjtes mbrëma.
Në këtë formë, e pësoi Shkolla e Mesme “Shaban Hasani” në Ferizaj.
Një pjesë e kulmit të saj nuk arriti t’i përballonte stuhisë së erës.
Kjo e shtyri drejtorinë e shkollës që të premten ta anulonte mësimin.
“Edhe për dëmtimin e një pjese të kulmit të këtij objekti, domethënë që e kam pasur mbrëmë rreth orës 1:00, po pastaj në mëngjes herët e vlerësuam gjendjen. Së bashku me drejtorin e arsimit konstatuam që për sot të mos mbahet mësimi për arsye të disa llamarinave të vjerrura, edhe menduam që po rrezikohet ndonjë nxënës apo ndonjë pjesëtar tjetër i shkollës”, deklaroi Arben Halili, drejtor i Shkollës.
Sipas Arben Halitit, drejtor në këtë gjimnaz, mësimi i rregullt do të vazhdoj javën tjetër.
“Nuk kemi dëme të tjera brenda, domethënë klasa normale, mund të mbahet mësimi po përveç kësaj llamarine që menduam po na rrezikohet. Tash mora informacion që do të vijnë disa ekipe për sanim, me pa se çfarë duhet me intervenuar, dhe po besoj që të hënën me siguri do të fillojë”, theksoi Halili.
Ndërkohë, dëme nga erërat e forta janë shkaktuar edhe në lokacione të tjera në qytetin e Ferizajt.
Madje në disa vende, u desh edhe intervenimi i ekipeve të zjarrfikësve.
“Ne si zjarrfikës i kemi marrë gjitha masat e nevojshme, kemi bo mobilizimin dhe kemi arrit ti sanojmë disa gjera edhe në këto momente që po na shihni gjitha ekipet operative janë në terren. Ka pasë dëme ne shkolla, objekte private ne jemi duke jep maksimumin që të qetësojmë gjendjen. Dashtë Zoti të mos kemi sonte se po parashihet që do të këtë edhe sonte por ne i kemi marrë gjitha masat dhe do të jemi pranë qytetarëve”, deklaroi Zymri Krasniqi, zjarrfikës.
Ndërkohë, nga Komuna e Ferizajt, thonë se nuk ka asnjë person të lënduar.
Ndërkohë për demet materiale, shtojnë se ende nuk mund të japin një vlerësim të saktë.
“Është një lëndim i vogël i një fëmije, i cili nuk ka ardhur për shkak të pasojave të erërave, mirëpo sa i përket punës së dëmeve materiale, do të shihet dhe do të dalim me një shifër të saktë. E mira e kësaj pune është që dëme në njerëz nuk ka dhe do të mundohemi që sa më shpejt t’i dalim në ndihmë atyre qytetarëve dhe atyre objekteve ku është bërë dëmi më i madh”, deklaroi Alberton Sahiti, drejtor I shërbimeve publike. .
Ndryshe, përveç Ferizajt, dëme nga erërat e forta, janë raportuar edhe në qytetet e tjera të vendit./teve1

