Një studim i ri i Universitetit të Oxfordit ka rikthyer vëmendjen te rëndësia e kalciumit në ushqyerje, pasi ka treguar se një gotë e madhe qumësht në ditë mund të lidhet me rrezik më të ulët për kancer të zorrës së trashë
Një gotë qumësht në ditë mund të ndihmojë në uljen e rrezikut për kancer të zorrës së trashë, tregon studimi më i fundit i madh.
Konsumimi i rregullt i qumështit dhe i ushqimeve të tjera të pasura me kalcium mund të ketë efekt mbrojtës ndaj kancerit të zorrës së trashë, sugjeron studimi i madh i Universitetit të Oxfordit, i kryer mbi më shumë se 542.000 gra, të ndjekura mesatarisht për 16 vjet.
Shkencëtarët zbuluan se 300 miligramë shtesë kalcium në ditë, që përputhen afërsisht me një gotë të madhe qumësht, lidhen me 17 për qind rrezik më të ulët për zhvillimin e kancerit të zorrës së trashë.
Studimi është publikuar në revistën Nature Communications dhe është financuar nga Cancer Research UK. Autorët theksojnë se efekti mbrojtës nuk lidhet domosdoshmërisht vetëm me qumështin e lopës. I rëndësishëm është kalciumi, i cili mund të merret edhe nga jogurti, tofu, perimet me gjethe të errëta ose pijet bimore të pasuruara me kalcium, transmeton Telegrafi.
Çelësi duket se është kalciumi
Mjekja e përgjithshme Rupa Parmar ka paralajmëruar se në ordinancë po sheh gjithnjë e më shpesh pacientë që i largojnë produktet e qumështit nga ushqimi, edhe pse nuk kanë arsye të konfirmuar mjekësore për këtë.
“Në ordinancë e shoh vazhdimisht. Shprehja intolerancë ndaj produkteve të qumështit përdoret shumë lehtë dhe shumë njerëz ia vendosin vetes këtë diagnozë. Kur bëjmë testet, shpesh del se në fakt nuk e kanë këtë gjendje”, tha ajo.
Ajo shtoi se ushqimi pa produkte qumështi është bërë një lloj trendi, sepse disa njerëz i shohin ato si ushqime që shtojnë peshë trupore.
“Heqja dorë nga produktet e qumështit është bërë trend, sepse njerëzit mendojnë se shëndoshin, por shpesh i bëjnë vetes më shumë dëm sesa dobi kur i shmangin”, tha Parmar.
Shkencëtarët supozojnë se kalciumi mund të lidhet me substanca të dëmshme në zorrë, përfshirë acidet biliare dhe acidet yndyrore, duke ulur kështu efektin e tyre potencialisht kancerogjen.
Rezultatet treguan se ushqimet e pasura me kalcium, veçanërisht qumështi dhe jogurti, kishin lidhjen më të qartë me rrezik më të ulët. Megjithatë, ky efekt nuk u pa në të njëjtën mënyrë te të gjitha produktet e qumështit. Djathi dhe akullorja nuk treguan lidhje të qartë me uljen e rrezikut për kancer të zorrës së trashë.
“Çelësi është kalciumi, dhe ai mund të vijë nga burime të ndryshme: qumështi, jogurti, por edhe tofu ose pijet bimore të pasuruara me kalcium”, tha Parmar.
Ekspertët theksojnë se kjo nuk do të thotë se qumështi është mbrojtje mrekullibërëse ndaj sëmundjes. Bëhet fjalë për një lidhje të vërejtur në një studim të madh vëzhgues, prandaj rezultatet duhet të interpretohen në kontekstin e mënyrës së përgjithshme të jetesës dhe ushqyerjes.
Alkooli dhe mishi i përpunuar rrisin rrezikun
I njëjti studim tregoi edhe anën tjetër të zakoneve ushqimore: alkooli, mishi i kuq dhe mishi i përpunuar lidhen me rrezik më të lartë për kancer të zorrës së trashë.
Sipas përmbledhjes së studimit, çdo 20 gramë shtesë alkool në ditë lidhej me 15 për qind rritje të rrezikut, ndërsa çdo 30 gramë mish të kuq ose të përpunuar me 8 për qind rritje të rrezikut.
“Është e rëndësishme të kuptohet se faktorët e rrezikut janë pjesë e një tabloje më të gjerë. Përqendrimi në mënyrë të shëndetshme jetese, përfshirë ushqyerjen e balancuar dhe aktivitetin e rregullt fizik, është mënyra më e mirë për uljen e rrezikut nga çdo lloj kanceri”, tha Parmar.
Ajo shtoi se ndërprerja e duhanit dhe ulja e konsumit të alkoolit janë ndër hapat më të rëndësishëm në parandalimin e kancerit të zorrës së trashë.
“Gjithçka është te masa dhe te zgjedhjet e shëndetshme”, theksoi ajo.
Mjekët paralajmërojnë se është e rëndësishme t’u kushtohet vëmendje shenjave të mundshme të kancerit të zorrës së trashë, si gjaku në jashtëqitje, humbja e pashpjegueshme e peshës trupore, dhimbja ose parehatia e vazhdueshme në bark, si dhe ndryshimet në jashtëqitje që nuk kalojnë.
Diagnoza e hershme mund t’i rrisë dukshëm gjasat për trajtim të suksesshëm, prandaj ekspertët këshillojnë që te simptomat e pazakonshme ose afatgjata të mos shtyhet vizita te mjeku. /Telegrafi/