Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës dhe Këshillat Studentorë të fakulteteve kanë paralajmëruar protestë para Rektoratit, në shenjë pakënaqësie ndaj deklaratave të rektorit Arben Hajrullahu.
Përmes një thirrjeje publike, studentët kanë bërë të ditur se protesta do të mbahet të hënën, duke filluar nga ora 11:30.
Ata kanë theksuar se qëndrimi i tyre mbetet i pandryshuar edhe pas takimit të sotëm me Këshillin Drejtues të Universitetit të Prishtinës, ku është diskutuar situata e krijuar pas deklaratave të rektorit.
Sipas studentëve, gjatë takimit Këshilli Drejtues është distancuar nga gjuha e përdorur nga rektori ndaj tyre, ndërsa ata kanë kërkuar që të ushtrohen kompetencat dhe përgjegjësitë institucionale, duke insistuar që çështja të mos mbetet vetëm në nivel diskutimesh, por të pasohet me lirimin e tij nga detyra.
Studentët kanë deklaruar se, pavarësisht ditëve të kaluara nga deklaratat e Hajrullahut, deri më tani nuk kanë parë as kërkimfalje dhe as tërheqje nga qëndrimet e shprehura./IndeksOnline/

