Përfaqësuesit studentorë nga shtatë universitetet e Maqedonisë së Veriut kanë zyrtarizuar kërkesën për përmirësimin e standardit studentor, duke kërkuar që vlera ditore e shujtës subvencionale të rritet në 200 denarë.
Sipas tyre, ky ndryshim është i domosdoshëm për të mbuluar qoftë edhe një vakt bazë ushqimor gjatë kohës që ndjekin rrugëtimin akademik.
Sipas tyre, kriza ekonomike dhe inflacioni e kanë “gëlltitur” vlerën reale të 140 denarëve. Studentët theksojnë se me mjetet aktuale është pothuajse e pamundur të blihet një vakt i shëndetshëm dhe i balancuar ushqimor brenda ambienteve universitare apo në restorantet partnere.
Masa për shujtën e subvencionuar studentore nisi zyrtarisht të zbatohej në vitin 2021, si një formë mbështetjeje financiare e drejtpërdrejtë për të lehtësuar shpenzimet e jetesës së studentëve.
Në fillim, vlera ishte 120 denarë në ditë. Më vonë, pas presioneve dhe protestave studentore, kjo vlerë u rrit në 140 denarë. Megjithatë, kjo shumë ka mbetur e ngrirë për më shumë se dy vite, pavarësisht rritjes së vazhdueshme të çmimeve nëpër markete e restorante.
Çdo vit, nga kjo masë e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASH) përfitojnë rreth 27,000 deri në 30,000 studentë të rregullt në të gjithë vendin, të cilët nuk kanë të ardhura mujore më të larta se paga minimale neto./Telegrafi/