Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka vendosur që deputeti Enver Hoxhaj ta përfaqësojë këtë subjekt politik në grupin punues gjithëpartiak, i cili ka për mision hartimin e një strategjie shtetërore për të kundërshtuar aktgjykimin e shkallës së parë të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Ky zhvillim vjen në një kohë kur deputetët e kësaj partie kanë reaguar ndaj deklaratës së kryetares së Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, e cila theksoi se askush nuk mund t’u diktojë gjykatësve mënyrën e interpretimit dhe zbatimit të ligjit, raporton Klan Kosova.
Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu, nënvizoi se legjitimiteti suprem buron nga organi ligjvënës i vendit.
Lidhur me ndryshimet ligjore për Specialen, për të cilat PDK-ja insistoi me ngulm që të miratoheshin, deputetët e kësaj partie tashmë shprehen të hapur edhe për rishikimin e tyre nëse shfaqen pengesa procedurale apo përmbajtjesore.
Ndërkaq, deputeti i LVV-së, Mefail Bajqinovci, theksoi se pavarësisht dyshimeve fillestare, nuk duhen bërë hapa pas.
Ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara, të propozuara nga PDK-ja dhe të votuara edhe nga LVV-ja, ndodhen që nga e premtja e 15 tetorit në zyrën e Presidentes, ku pritet vendimi përfundimtar mbi dekretimin e tyre.
Për më shumë ndiqeni kronikën më poshtë:

