Spanja ka siguruar një avantazh të rëndësishëm para finales së Kupës së Botës 2026, pasi rezervoi biletën për aktin final të dielën.
“La Roja” u kualifikua në finalen e saj të parë të Botërorit që nga triumfi historik i vitit 2010, falë golave të Mikel Oyarzabal dhe Pedro Porro në fitoren ndaj Francës në gjysmëfinalen e zhvilluar në Arlington të Teksasit.
Skuadra e drejtuar nga Luis de la Fuente tani synon t’i shtojë edhe Kupën e Botës suksesit të Euro 2024, kur të zbresë në fushë të dielën në stadiumin MetLife në New Jersey. Ndërkohë, Franca do të luajë një ditë më herët ndeshjen për vendin e tretë në Miami.
Nëse Anglia arrin të kualifikohet në finale, Spanja mund të ketë një avantazh të rëndësishëm ndaj saj, në një përsëritje të finales së Euro 2024.
Sipas një analize të publikuar nga The Athletic, kalendari i ndeshjeve ka luajtur shpesh rol vendimtar në finalet e turneve madhorë.
Studimi tregon se në 13 nga 14 finalet e fundit të Kupës së Botës dhe Kampionatit Evropian, skuadra që ka pasur një ditë më shumë pushim ka dalë fituese.
Mes shembujve të përmendur janë Spanja, e cila luajti një ditë më herët se Italia para finales së Euro 2012, Portugalia që pati më shumë kohë rikuperimi se Franca para finales së Euro 2016, si dhe Argjentina, e cila përfitoi nga i njëjti avantazh përpara finales së Kupës së Botës 2022 në Katar.
Përjashtimi i vetëm nga kjo prirje ishte finalja e Kupës së Botës për femra në vitin 2017, ku Holanda mposhti Danimarkën 4-2. Në atë rast, të dyja gjysmëfinalet u zhvilluan në të njëjtën ditë, ndaj asnjë skuadër nuk kishte avantazh në pushim.
Herën e fundit kur ky model nuk u respektua ishte pikërisht në triumfin e Spanjës në Kupën e Botës 2010. Edhe pse “La Roja” e zhvilloi gjysmëfinalen më afër finales se kundërshtari i saj, ajo arriti të fitonte trofeun./Telegrafi/
