Një grua 43-vjeçare ka ndërruar jetë rrugës për në Spitalin Rajonal të Pejës, pasi gjendja e saj shëndetësore ishte përkeqësuar pas marrjes së një infuzioni në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Klinë.
Përmes një reagimi për media, Spitali ka bërë të ditur se rasti ka ndodhur dje, rreth orës 14:20.
Sipas njoftimit, pavarësisht përpjekjeve maksimale të ekipit mjekësor dhe reanimimit të ndërmarrë, nuk është arritur rikthimi i shenjave vitale.
“Dje, rreth orës 14:20, në Emergjencën e Spitalit është sjellë një paciente e moshës 43 vjeçare pa shenja jete.
Përkundër përpjekjeve maksimale të ekipit mjekësor dhe reanimimit të ndërmarrë, fatkeqësisht nuk është arritur rikthimi i shenjave vitale.
Për rastin janë njoftuar organet kompetente, të cilat merren me procedurat e mëtejme”, thuhet në njoftim./IndeksOnline/

