Fluksi rekord i migrantëve ka vënë nën presion shërbimet e pritjes në ishuj, ndërsa autoritetet spanjolle kërkojnë mbështetje për përballimin e situatës.
Gjatë 24 orëve të fundit, Ishujt Kanarie të Spanjës kanë regjistruar një numër rekord mbërritjesh të migrantëve, me rreth 1,990 persona që kanë arritur në arkipelag me 15 varka, kryesisht nga Senegali dhe Gambia.
Sipas autoriteteve spanjolle, bëhet fjalë për një nga flukset më të mëdha të regjistruara brenda një periudhe kaq të shkurtër në këtë rajon, raporton AP.
Një pjesë e madhe e migrantëve mbërritën në ishullin El Hierro, ku shërbimet lokale po përballen me vështirësi për të përballuar numrin e lartë të të ardhurve.
Mes personave të shpëtuar dhe të transportuar drejt brigjeve spanjolle kishte edhe rreth 100 të mitur. Gjatë udhëtimit, një grua solli në jetë një foshnjë.
Presidenti i Ishujve Kanarie, Fernando Clavijo, ka kërkuar mbështetje më të madhe nga autoritetet qendrore spanjolle, duke paralajmëruar se kapacitetet e ishujve janë të kufizuara për të përballuar një fluks të tillë.
Rruga e Atlantikut, nga brigjet e Afrikës Perëndimore drejt Ishujve Kanarie, konsiderohet ndër itineraret më të rrezikshme të migrimit drejt Evropës. Migrantët shpesh udhëtojnë për ditë të tëra me varka të mbipopulluara, duke u përballur me dallgë të forta dhe kushte të vështira detare.
Rritja e mbërritjeve ka rikthyer në vëmendje çështjen e migracionit në Spanjë, ndërsa autoritetet po kërkojnë zgjidhje për strehimin, kujdesin dhe sistemimin e personave që mbërrijnë në ishuj.

