Mungesa e ujit të pijshëm në Dragash ka nxitur reagime të qytetarëve, të cilët sot, më 11 gusht, do të protestojnë para objektit të Komunës për të kërkuar zgjidhje konkrete për furnizimin me ujë.
Protesta është paralajmëruar të nisë në orën 11:00, ndërsa qytetarët janë ftuar të bëhen bashkë për të kërkuar ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet përgjegjëse.
“Nuk po kërkojmë privilegj. Po kërkojmë një të drejtë elementare: Ujin!”, thuhet në thirrjen për protestë.
Në njoftimin për protestë theksohet se qytetarët nuk mund të paguajnë taksat dhe faturat e shërbimeve, ndërsa për nevojat themelore të përballen me mungesë të ujit në shtëpitë e tyre.
Problemi me furnizimin është konfirmuar edhe nga KRU “Hidroregjioni Jugor”. Menaxheri i kësaj kompanie në Degën e Dragashit, Izet Aliu, ka deklaruar për Telegrafin se qyteti aktualisht nuk po merr sasi të mjaftueshme uji.
“Unë si menaxher i njësisë së ujësjellësit në Dragash, me plot përgjegjësi konfirmoj se ka mungesë të ujit në Dragash. Qytetarët janë duke u përballur me mungesë të ujit, domethënë nuk po vjen sasi e mjaftueshme e ujit”, ka deklaruar Aliu.
Sipas tij, një prej problemeve lidhet me sasinë e ujit që vjen nga burimi i Radesha, i cili tradicionalisht ka furnizuar Dragashin.
“Mosardhja e ujit është si pasojë e pendës së krijuar nga fabrika e ndërtuar nga Komuna, e cila ujin e çon në fabrikën e re të përpunimit dhe shpërndahet në disa fshatra, jo vetëm të Topolës, por edhe të Gorës”, ka thënë Aliu.
Ai ka theksuar se sasia e ujit që aktualisht arrin në sistem nuk është e mjaftueshme për nevojat e qytetarëve.
“Që tash sasia që po vjen prej burimit atje nuk është e mjaftueshme për furnizimin e qytetarëve të Dragashit me ujë”, ka deklaruar ai.
Menaxheri i KRU “Hidroregjioni Jugor” ka sqaruar se, sipas tij, problemi nuk qëndron te rrjeti i ujësjellësit apo kapacitetet e kompanisë, por te sasia e ujit që arrin në sistem.
“Nuk ka problem i furnizimit të Hidroregjionit Jugor. Problemi është që Hidroregjionit Jugor nuk po i vjen sasi e mjaftueshme e ujit për me i furnizu qytetarët”, ka thënë Aliu për Telegrafin.
“Ne, me sasinë ekzistuese, nuk mundemi me i furnizu qytetarët”, ka shtuar ai.
I pyetur për ankesat e qytetarëve dhe raportimet se uji nga burimi i Radesha po dërgohet edhe në fshatra të tjera, Aliu ka konfirmuar se një pjesë e ujit shkon në fabrikën e përpunimit.
“Uji i Dragashit është e vërtetë që po bartet edhe në fshatrat e Opojës. Uji i lumit Radesha që vjen për Dragash, që është furnizuar Dragashi me atë ujë gjithmonë, një pjesë është duke ardhur në Dragash, pjesa tjetër është duke shkuar në fabrikën për përpunimin e ujit”, ka deklaruar Aliu.
Megjithatë, ai ka thënë se KRU “Hidroregjioni Jugor” nuk ka informacion të plotë se cilat fshatra furnizohen nga kjo fabrikë.
“Se kush furnizohet nga ajo fabrikë, nuk jemi në dijeni, pasi nuk kemi qasje aty. Aty mundemi me kontaktu zyrtarët e komunës”, ka thënë Aliu.
Për situatën e krijuar, sipas Aliut, zyrtarët e KRU “Hidroregjioni Jugor” kanë zhvilluar takime me përfaqësues të Komunës së Dragashit, me qëllim të gjetjes së një zgjidhjeje të shpejtë.
“Për këtë problem sot zyrtarët e kompanisë Hidroregjioni Jugor kanë pasur takime me zyrtarët e Komunës së Dragashit dhe kanë kërkuar me e zgjidhë urgjentisht këtë problem të furnizimit të qytetarëve me ujë”, ka thënë ai.
Sipas tij, është premtuar se do të ndërmerren masa për rritjen e sasisë së ujit që dërgohet drejt qytetit.
“Është premtuar se do të merren të gjitha masat sot për me rritë sasinë e ujit, me lëshu sasinë e ujit për me ardhë në Dragash për furnizim të qytetarëve”, ka deklaruar Aliu.
Megjithatë, qytetarët e Dragashit sot do të dalin në protestë, duke kërkuar që premtimet për zgjidhjen e problemit të shoqërohen me masa konkrete dhe furnizim të qëndrueshëm me ujë të pijshëm. /Telegrafi/
