Albi Mall Superliga e Kosovës rikthehet sot (e premte) me ndeshjen e vetme të ditës, ku Ballkani e pret Drenicën në Suharekë. Katër përballjet e tjera të javës zhvillohen të shtunën dhe të dielën, me disa duele interesante në program.
Java e 12-të e Albi Mall Superligës së Kosovës nis këtë të premte me një përballje që pritet të sjellë rivalitet, pasi Ballkani dhe Drenica matin forcat nga ora 13:00 në stadiumin e qytetit në Suharekë.
Skuadra vendase do të kërkojë të shfrytëzojë përparësinë e fushës për të marrë pikët e plota, ndërsa Drenica udhëton në Suharekë me synimin për të befasuar dhe për të marrë një rezultat pozitiv në këtë udhëtim.
Kjo do të jetë ndeshja e vetme e ditës, ndërsa xhiroja vazhdon të shtunën me dy përballje dhe të dielën gjithashtu me dy përballje.
Drita pret Vushtrrinë në Gjilan nga ora 13:00, kurse Llapi dhe Prishtina përballen në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë, nga ora 13:00.
Të dielën, Malisheva e pret Feronikeli ’74 nga ora 13:00, ndërsa Dukagjini dhe Gjilani e mbyllin javën e 12-të me duelin që nis në orën 17:00 në Klinë. /Telegrafi/

