Sot (e shtunë) bëhen plot 10 vjet që kur u nda nga jeta Mona Ismaili, nëna e këngëtareve të njohura të estradës shqiptare, Adelina dhe Zanfina Ismaili.
Mona Ismaili, e cila ishte bibliotekiste me profesion dhe më pas u angazhua si menaxhere e vajzave të saj në rrugëtimin e tyre artistik, u shua më 25 prill 2016, pas një beteje me sëmundjen e kancerit.
Në këtë ditë përkujtimore, Adelina dhe Zanfina – që për vite me radhë kanë qenë ndër emrat më të spikatur të estradës – kanë zgjedhur ta kujtojnë nënën e tyre përmes disa dedikimeve prekëse në Instagram.
Adelina ka publikuar një fotografi të Monës, të shoqëruar me fjalë të ndjera: “10 vite pa ty mami. Dhëmbja nuk pushon kurrë. Pusho e qetë, të dua pafund”.
Foto: Adelina Ismaili/InstaStory
Ndërsa Zanfina, në një tjetër postim, ka ndarë vargje që përshkruajnë mallin e pandalshëm për nënën e saj, duke shkruar: “Dhjetë vjet kanë kalu, si një jetë… E n’zemrën tem heshtja e ditës së parë. Prej ditës kur shkove zemra e kohës është ndal. Malli për ty është si lutje n’zemrën tem që nuk nalet kurr”.
Në fund, ajo e ka përmbyllur dedikimin me fjalët: “10 vjet pa ty, Mami”.
Foto: Zanfina Ismaili/InstaStory
Kujtimi i Monës mbetet i gjallë tek familja dhe tek njerëzit që e kanë njohur nga afër, ndërsa mesazhet e dy vajzave të saj dëshmojnë se, edhe pas një dekade, mungesa dhe dhimbja për të nuk zbehen. /Telegrafi/