Mërgimtarja Afize Shabani Lika, e cila jeton dhe vepron në Slloveni, ka folur për sfidat me të cilat përballen gratë në diasporë, veçanërisht ato që janë të varura financiarisht nga bashkëshortët dhe përjetojnë pasiguri në jetën e tyre.
E ftuar në emisionin “Diaspora” në Klan Kosova, Shabani Lika ka theksuar se barrierat gjuhësore, mungesa e guximit dhe varësia ekonomike janë ndër faktorët kryesorë që i pengojnë gratë të kërkojnë ndihmë nga institucionet.
Ajo ka treguar se shumë gra mendojnë se pa njohjen e gjuhës sllovene nuk mund të komunikojnë me institucionet, ndonëse kanë të drejtë të kërkojnë përkthyes.
“Është një barrierë e madhe gjuha, guximi dhe kur gratë janë të varura prej burrave”, ka deklaruar ajo.
Shabani Lika ka rrëfyer gjithashtu se njeh raste kur bashkëshortët përdorin dokumentet e qëndrimit dhe varësinë financiare për t’i bërë gratë të ndihen të pafuqishme dhe të bindura se nuk mund të jetojnë pa ta.
“Di shumë raste kur burri i thotë: ‘Ti nuk mundesh pa mu, se unë t’i kam bo letrat’, ‘ti nuk mundesh pa mu, se unë punoj, se ti s’ki as pare dhe ekonomikisht s’je e pavarun’”, ka thënë Shabani Lika.
Sipas saj, këto rrethana bëjnë që edhe gratë që përjetojnë dhunë nga bashkëshortët të mos flasin dhe të mos kërkojnë ndihmë.
“Edhe nëse kanë dhunë nga burri, ato e mshelin gojën”, ka theksuar Shabani Lika.

