Sjellja e Köppel në Moskë mbetet vazhdimësi e linjës së tij të njohur pro-serbe dhe pro-ruse. Botuesi zviceran ka shfaqur hapur simpati për qëndrimet e presidentit serb Aleksandar Vuçiq, i cili e ka shpërblyer me një dekoratë.
Pronari dhe gazetari i revistës djathtiste zvicerane “Weltwoche”, Roger Köppel, ka marrë pjesë në takimin e Klubit të Diskutimit “Valdai” në Moskë dhe ka nxitur reagime të shumta për shkak të vardisjes ndaj diktatorit rus, Vlladimir Putin. Köppel, i cili ishte i ftuar mes pjesëmarrësve nga më shumë se 40 vende, shfrytëzoi mundësinë e parashtrimit të një pyetjeje për të lavdëruar Putinin dhe për të kërkuar mendimin e tij mbi politikën jashtme të Zvicrës.
Gjatë fjalës së tij, botuesi zviceran e falënderoi Putinin për kontributin që Rusia ka dhënë historikisht për neutralitetin e Zvicrës që nga Kongresi i Vjenës në vitin 1815. Ai po ashtu pyeti pse Rusia ka ndërmarrë masa ndaj kompanisë zvicerane “Nestlé”, duke e mbrojtur këtë të fundit me arsyetimin se i ka rezistuar kërkesave evropiane për t’u larguar nga tregu rus. Lidhur me këtë, Putin u përgjigj se Rusia nuk kërkon të ndëshkojë asnjë kompani apo shtet, por vetëm t’u përgjigjet veprimeve që ndërmerren kundër saj.
Në vijim të bashkëbisedimit, me ftesë të vetë Putinit, Köppel mbajti një fjalim të shkurtër ku u ndal te politika e ish-politikanit gjerman Egon Bahr për përafrimin mes Lindjes dhe Perëndimit. Bahr, i cili ka vdekur më 2015, ka qenë një mbështetës i idesë se Perëndimi duhet të ketë më shumë mirëkuptim për Rusinë. Köppel shprehu shpresën se Zvicra mund të shërbejë si ndërmjetëse mes fuqive të mëdha dhe deklaroi se mbështet përpjekjet për të rikthyer frymën e kësaj politike në Gjermani.
Nga ana e tij, udhëheqësi i Kremlinit shfrytëzoi rastin për të kritikuar kursin aktual të Zvicrës. Putin deklaroi se Zvicra ka humbur një pjesë të tërheqjes së saj ndërkombëtare dhe të statusit të saj si vend neutral duke u bashkuar me sanksionet perëndimore kundër Rusisë.
Sipas tij, neutraliteti nuk duhet të ekzistojë vetëm në letra, por kërkon që vendi të qëndrojë plotësisht jashtë masave ndëshkuese politike dhe ekonomike. Pas agresionit rus kundër Ukrainës, Zvicra, ndonëse shtet neutral, i është bashkuar sanksioneve të BE-së kundër Rusisë. Nacionalistët antieuropianë të Zvicrës kundërshtojnë sanskionet kundër Rusisë.
Sjellja e Köppel në Moskë mbetet vazhdimësi e linjës së tij të njohur pro-serbe dhe pro-ruse. Botuesi zviceran ka shfaqur hapur simpati për udhëheqjen shtetërore të Serbisë dhe të Republikës Serbe në Bosnjë e Hercegovinë, duke thurur elozhe për presidentin serb Aleksandar Vuçiq dhe liderin ultranacionalist Milorad Dodik. Vuçiqin e ka ftuar në një debat në Zürich. Mbështetja mediatike e Köppel për Beogradin nuk ka kaluar pa u shpërblyer, pasi vetë presidenti Vuçiq e ka dekoruar botuesin zviceran me një urdhër shtetëror.
Së fundi “Weltwoche” botoi një shkrim skandaloz të publicistit kontrovers serb Srgja Trifkoviq, në të cilin relativizohej gjenocidi i forcave serbe në Srebrenicës dhe synohej të paraqitej në një dritë pozitive krimineli i luftës Ratko Mlladiq. Botimi i këtij teksti që lartësonte Mlladiqin nxiti reagime dhe ankesa nga organizatat e diasporës bosnjake dhe mediat në Sarajevë. Köppel po e përdor platformën e tij mediatike për revizionizëm të historisë dhe promovimin e narrativave radikale nacionaliste. /Telegrafi/

