Siguria kibernetike dhe zhvillimet e fundit në teknologji ishin në fokus të një eventi të organizuar sot në Prishtinë nga FORTINET, kompani ndërkombëtare që operon në fushën e sigurisë kibernetike.
Eventi u zhvillua në kuadër të bashkëpunimit të FORTINET me tregun e Kosovës, ndërsa drejtuesit rajonalë të kompanisë kanë zgjedhur këtë herë Prishtinën për organizimin e ngjarjes.
Në fokus të diskutimeve ishin zhvillimet në teknologji, rritja e kërcënimeve digjitale, përdorimi i inteligjencës artificiale në sigurinë kibernetike, si dhe sfidat me të cilat përballen kompanitë në mbrojtjen e sistemeve dhe të dhënave të tyre.
Për rëndësinë e kësaj fushe dhe perspektivën e të rinjve në Kosovë ka folur Lulzim Rahimi, IT Menaxher në Clastertech Sh.P.K. dhe i certifikuar në FCSS nga FORTINET.
Rahimi ka thënë se Kosova, për shkak të popullsisë së re dhe interesimit në rritje për teknologjinë, ka potencial për zhvillimin e profesionistëve të rinj në fushën e sigurisë kibernetike.
“Kosova ka një nga popullsitë më të reja në Evropë dhe shohim një interesim gjithnjë e më të madh të të rinjve për teknologjinë dhe sigurinë kibernetike. Të rinjtë në Kosovë janë kuriozë, të motivuar dhe të gatshëm të mësojnë”, ka deklaruar ai.
Sipas Rahimit, me edukim, trajnime dhe përvojë praktike, të rinjtë kosovarë kanë mundësi të ndërtojnë karriera në këtë sektor, si brenda vendit ashtu edhe jashtë tij.
Një pjesë e diskutimit iu kushtua edhe inteligjencës artificiale (AI) dhe ndikimit të saj në sigurinë kibernetike.
Rahimi ka bërë të ditur se AI tashmë është pjesë e rëndësishme e zgjidhjeve të FORTINET për zbulimin dhe analizimin e kërcënimeve, si dhe për përshpejtimin e reagimit ndaj incidenteve të sigurisë.
Ai ka përmendur edhe zhvillimin e FortiAI dhe FortiAI-Assist, të cilat sipas tij ndihmojnë në operacionet e sigurisë, analizimin dhe automatizimin e proceseve.
Në të njëjtën kohë, ai ka theksuar se zhvillimi i AI krijon edhe sfida të reja, pasi sistemet dhe teknologjitë e bazuara në inteligjencën artificiale mund të bëhen objektiv i sulmeve kibernetike.
Rahimi ka folur edhe për gabimet më të shpeshta që bëjnë kompanitë kur mendojnë se sistemet e tyre janë të mbrojtura.
“Një gabim i zakonshëm është të mendohet se vetëm një firewall ose antivirus është i mjaftueshëm. Nuk është”, ka thënë ai.
Sipas tij, kompanitë shpesh neglizhojnë përditësimet e sistemeve, përdorimin e fjalëkalimeve të dobëta, menaxhimin e qasjeve të përdoruesve dhe krijimin e kopjeve rezervë të të dhënave.
Një tjetër element i rëndësishëm, sipas Rahimit, është trajnimi i stafit, pasi një gabim i thjeshtë nga një përdorues mund të krijojë probleme serioze për sigurinë e një kompanie.
Eventi në Prishtinë synoi të sjellë më afër profesionistët e sektorit të teknologjisë dhe sigurisë kibernetike, në një kohë kur kërcënimet digjitale dhe nevoja për mbrojtjen e sistemeve teknologjike po marrin gjithnjë e më shumë rëndësi për bizneset dhe institucionet. /Telegrafi/