Kosova po shkon drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, pasi procesi për zgjedhjen e presidentit nuk është përmbyllur brenda afateve kushtetuese.
Ky dështim institucional ka thelluar krizën politike në vend dhe ka krijuar një bllokadë të re në funksionimin normal të institucioneve shtetërore.
Mosarritja e zgjedhjes së kreut të shtetit brenda afatit ligjor hap automatikisht mundësinë për shpërndarjen e Kuvendit dhe organizimin e zgjedhjeve të reja parlamentare.
Kjo situatë e vendos vendin përballë një cikli të ri politik, në një periudhë kur stabiliteti institucional është tashmë i brishtë dhe marrëdhëniet mes partive politike mbeten të tensionuara.
Zhvillimet në Kosovë kanë tërhequr vëmendje të gjerë edhe në mediat ndërkombëtare, transmeton Telegrafi.
Agjencia Reuters raporton se vendi po shkon drejt zgjedhjeve të parakohshme pas dështimit për zgjedhjen e presidentit.
Mediumi amerikan, Bloomberg shkruan se Kosova po përballet me “votimin e tretë të parakohshëm radhazi për të thyer bllokimin politik”.
Edhe francezja Le Monde thekson se dështimi për të zgjedhur presidentin ka çuar vendin drejt zgjedhjeve të reja parlamentare, ndërsa agjencia turke e lajmeve, Anadolu Agency raporton se udhëheqësit politikë po shkojnë drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme pas krizës institucionale.
Sipas zhvillimeve aktuale, zgjedhjet e reja parlamentare pritet të mbahen më së largu deri më 7 qershor dhe do të jenë të tretat brenda 16 muajve, duke reflektuar paqëndrueshmërinë e vazhdueshme politike dhe vështirësitë në arritjen e konsensusit mes forcave kryesore politike në vend./Telegrafi/