Komunës së Shtimes i është dhuruar një kamion i ri zjarrfikës nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) dhe Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave (AME), me vlerë prej 553,449.50 eurosh.
Kryetari i Shtimes, Qemajl Aliu, ka bërë të ditur se automjeti i ri është i pajisur me teknologji moderne dhe do të shërbejë për rritjen e kapaciteteve në reagimin ndaj zjarreve dhe situatave emergjente.
Sipas Aliut, kamioni ka kapacitet prej 6,600 litrash ujë dhe shkumë, ndërsa është i pajisur me sistem 4×4, duke mundësuar ndërhyrje edhe në terrene më të vështira.
“Një investim madhor për sigurinë e qytetarëve tanë!”, ka shkruar Aliu.
Ai ka falënderuar MPB-në dhe AME-në për donacionin, duke theksuar se pajisja e re kontribuon në mbrojtjen e jetës dhe pronës së qytetarëve.
“Vazhdojmë me punë për Shtimen!”, ka shkruar kryetari Aliu. /Telegrafi/