Bisedimet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit po vazhdojnë, ndërsa Uashingtoni pretendon se Teherani po përballet me pasoja të rënda si rezultat i përshkallëzimit të fundit.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, deklaroi se Irani po vazhdon dialogun me SHBA-në dhe se është i interesuar për arritjen e një marrëveshjeje, për shkak të “goditjeve shkatërruese” që, sipas saj, ka pësuar.
“Arsyeja e sulmeve të fundit është se Irani ka shkelur Memorandumin e Mirëkuptimit që kishim arritur me ta”, tha Leavitt, duke iu referuar veprimeve ushtarake amerikane, shkruan skynews.
– YouTube www.youtube.com
Ajo pretendoi gjithashtu se Irani ka sulmuar anije tregtare në Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme detare për transportin global të energjisë.
Megjithatë, zëdhënësja theksoi se administrata amerikane mbetet e gatshme për zgjidhje diplomatike.
“Presidenti është gjithmonë i hapur ndaj diplomacisë”, u shpreh Leavitt, pa dhënë detaje të tjera për gjendjen aktuale të negociatave apo për mundësinë e një marrëveshjeje të re mes dy vendeve. /Telegrafi/
