Gjykata Themelore në Gjakovë e ka dënuar me shtatë vjet burgim dhe 500 euro gjobë personin me inicialet A.M., i cili është shpallur fajtor për veprën penale të grabitjes.
Sipas njoftimit të Gjykatës, rasti kishte ndodhur më 1 qershor 2026, rreth orës 17:50, prapa këndit të lojërave “Kids Center”, në rrugën “Ferid Domi” në Gjakovë.
I dënuari, së bashku me dy të mitur, I.A. dhe A.A., fillimisht kishin lënë takim me të dëmtuarin E.B.
Sipas aktakuzës, pasi ishin takuar, A.M. ishte afruar te viktima dhe ia kishte kapur çantën nga qafa, duke mbajtur në dorë një thikë. Gjatë përleshjes, ai e kishte goditur disa herë me dorezën e thikës në krahun e majtë dhe më pas ia kishte prerë rripin e çantës për t’ia marrë atë.
Pasi e kishte kontrolluar çantën, i pandehuri kishte marrë një portofol, nga i cili kishte nxjerrë 115 euro.
Në njoftimin e Gjykatës thuhet se më pas, i pandehuri dhe dy të miturit e kishin goditur përsëri viktimën me grushte në pjesë të ndryshme të trupit, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore.
Aktgjykimi është shpallur nga trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Sulltan Dobraj.
Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 30 ditësh nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar. /Lajmi.net/

