Liridona Bunjaku, shqiptarja me prejardhje nga Kosova që jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është kualifikuar në çerekfinale të kompeticionit amerikan “Top Host 2026”, i cili synon të zbulojë talente të reja në fushën e radios, podcastit dhe prezantimit.
Bunjaku, e cila me profesion është stomatologe, është e vetmja shqiptare që ka arritur të kualifikohet në këtë fazë të garës, ku, sipas të dhënave të bëra publike, kanë konkurruar gjithsej 137 mijë pjesëmarrës nga vende të ndryshme të botës.
Fituesi i kompeticionit do të shpërblehet me 25 mijë dollarë, mundësinë për të realizuar një podcast me gjashtë episode në bashkëpunim me iHeartRadio, si dhe një paraqitje në emisionin e prezantuesit të njohur amerikan, Ryan Seacrest.
Kompeticioni zhvillohet përmes votimit online të publikut. Secili person ka të drejtë të votojë falas një herë në 24 orë, ndërsa mund të sigurohen vota shtesë edhe përmes donacioneve.
Liridona synon që, në rast të fitores, këtë mundësi ta shfrytëzojë për të promovuar historinë, kulturën dhe vlerat e Kosovës dhe Shqipërisë para audiencës amerikane.
Gara do të përfundojë në dhjetor, ndërsa fituesi pritet të shpallet deri më 15 janar 2027.
Për të votuar, klikoni KËTU.

