KORREKT / SOT17 nëntor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Ekonomi

Shqiptarja Lea Ypi merr doktoratë nderi nga Universiteti i Fribourgut në Zvicër

Shqiptarja Lea Ypi merr doktoratë nderi nga Universiteti i Fribourgut në Zvicër

Shqiptarja Lea Ypi, profesoreshë në Shkollën Ekonomike të Londrës, është nderuar me doktoratë nderi nga Universiteti i Fribourgut në Zvicër, në kuadër të ceremonisë tradicionale “Dies Academicus 2026”.

Në ceremoninë e mbajtur të hënën në Forum Fribourg, në Granges-Paccot, Universiteti i Fribourgut ndau gjithsej gjashtë doktorata nderi, ndërsa Ypi ishte njëra nga personalitetet e vlerësuara këtë vit, shkruan Swissinfo, transmeton Telegrafi.

Sipas njoftimit të universitetit, të cilit i referohet agjencia Keystone-ATS, Lea Ypi është vlerësuar për kontributin e saj intelektual. Ajo përshkruhet si një profesoreshë që tashmë konsiderohet ndër intelektualet e mëdha të shekullit XXI.

Me origjinë shqiptare, Ypi përqendrohet në tema si liria, drejtësia dhe përgjegjësia, thuhet në deklaratën e Universitetit të Fribourgut.

Në mesin e personaliteteve të tjera që u nderuan me doktorata nderi ishte edhe profesori belg Fabrizio Bucella. Përmes mediave sociale dhe blogjeve të tij, ai arrin qindra mijëra njerëz me shpjegimet e tij për fizikën kuantike dhe matematikën, falë një stili të qasshëm dhe magjepsës.

Susanne Brunner, nga ana e saj, mori doktoratë nderi nga Fakulteti i Drejtësisë. Ajo është e njohur veçanërisht për shikuesit e televizionit publik zvicerano-gjerman SRF për raportimet e saj mbi Lindjen e Mesme.

Fakulteti i Teologjisë ia ndau doktoratën e nderit Mark S. Kinzerit, puna e të cilit kontribuon në një kuptim më të mirë të lëvizjes së hershme të Jezusit dhe identitetit të tij pluralist fetar. Rabini amerikan mesianik hebre kundërshton me vendosmëri të gjitha format e antisemitizmit.

Studiuesja franceze Marie Claire Villeval u vlerësua me doktoratë nderi nga Fakulteti i Shkencave Ekonomike dhe Sociale dhe Menaxhimit. Ajo është drejtoreshë emeritus e kërkimeve në Qendrën Kombëtare për Kërkime Shkencore (CNRS) dhe ka kontribuar në ndryshimin e të kuptuarit të sjelljes individuale dhe kolektive.

Ndërsa Fakulteti i Shkencës dhe Mjekësisë ua ndau doktoratat e nderit vëllezërve binjakë Frederik dhe Gerrit Braun, themeluesve dhe ndërtuesve të “Miniatur Wunderland”, rrjetit më të madh hekurudhor në miniaturë në botë, në Hamburg të Gjermanisë.

Krijimi i tyre ndërthur modelimin, shkencën kompjuterike, elektronikën dhe inxhinierinë e sistemeve, thuhet në njoftimin për shtyp. Përmes këtij vlerësimi, fakulteti nderoi dy individë, puna e të cilëve ilustron lidhjen mes njohurive teknike, mendimit ndërdisiplinor dhe zbatimit praktik.

Sporti në qendër të Dies Academicus 2026

Universiteti i Fribourgut ia kushtoi edicionin e këtij viti sportit, duke e vendosur atë krahas shkencës në qendër të ceremonisë. Presidenca e nderit u mbajt bashkërisht nga Ruth Metzler-Arnold, presidente e Swiss Olympic, dhe Hubert Waeber, ish-president i klubit Fribourg-Gottéron, përcjell Telegrafi.

Universiteti bëri të ditur se tema e sportit ishte përzgjedhur para se HC Fribourg-Gottéron të shpallej kampion i Zvicrës, para se Kampionati Botëror i Hokejit në Akull të hynte në fazat e planifikimit dhe para se Audrey Werro të bëhej kampione evropiane në 800 metra.

Për këtë arsye, sipas universitetit, ishte e këndshme që dy personalitete të sportit zviceran, ish-këshilltarja federale Ruth Metzler-Arnold dhe Hubert Waeber, pranuan të merrnin presidencën e nderit të kësaj dite.

Ceremonia tradicionale e ndarjes së çmimeve akademike u plotësua edhe nga një diskutim në tryezë të rrumbullakët, ku morën pjesë sportistë aktivë dhe ish-sportistë, të cilët kanë vazhduar të jenë të lidhur me sportin përmes roleve të ndryshme./Telegrafi/

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.