Shkencëtari dhe sipërmarrësi shqiptar, Merkur Smajlaj, është përfshirë në listën prestigjioze “30 Under 30 Europe 2026” të publikuar nga Forbes, duke u renditur ndër të rinjtë më me ndikim në Evropë në fushën e industrisë dhe inovacionit.
Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka përgëzuar Merkur Smajlajn, në përzgjedhjen e tij në listën prestigjioze të Forbes-it “30 under 30”.
Haxhiu përmes një postimi në platformwn X ka shkruar: “Urime Merkur Smajlaj për emërimin në listën Forbes 30 Under 30 Europe 2026. Puna e tij në ruajtjen e hidrogjenit dhe inovacionin në energjinë e pastër pasqyron talentin dhe përkushtimin e të rinjve që formësojnë të ardhmen. Kosova është krenare për arritjen e tij”.
Ndryshe, Merkur Smajlaj u bë pjesë e listës së famshme të njerëzve të suksesshëm në fusha të caktuara, para se të mbush 30 vjet.
Forbes-i ka vite që e praktikon këtë seleksionim, duke përzgjedhur njerëz shumë të suksesshëm dhe ekskluzivë.
Merkuri është përgjegjës për kërkim dhe zhvillim në startup-in austriak “HydroSolid”, që përqendrohet në ruajtjen e sigurt të hidrogjenit.
Sistemi i tij përdor materiale të përparuara që thithin hidrogjenin, të cilat e ruajnë hidrogjenin në një presion prej vetëm 30 bar, në vend të presionit të zakonshëm prej 300+ bar, duke ofruar atë që startup-i e quan një zgjidhje shumë më të sigurt, më kompakte dhe me kosto efektive, si dhe një zgjidhje që zvogëlon emetimet e CO2.
Duke udhëhequr zhvillimin kimik dhe shkallëzimin e nanokompozitëve të HydroSolid, Smajlaj ka punuar në projekte të BE-së me kompani, përfshirë Stellantis dhe Boeing.
Kompania ka mbledhur 3.5 milionë dollarë deri më tani. /Telegrafi/