Përvoja e shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës po vazhdon me takime të nivelit institucional në shtetin e Teksasit, ku në kuadër të programit IVLP po njihen nga afër me funksionimin e institucioneve amerikane në fushën e sigurisë, ekonomisë, financave dhe administratës publike.
Pas disa javësh intensive përtej Atlantikut, gjatë të cilave kanë përcjellë zhvillimet politike në SHBA, janë takuar me përfaqësues të të dy krahëve politikë dhe kanë përjetuar nga afër demokracinë amerikane në atmosferën zgjedhore, pjesëmarrësit shqiptarë kanë nisur një kapitull të ri të programit në Teksas.
Gjatë qëndrimit në këtë shtet, ata po zhvillojnë takime me një sërë institucionesh dhe organizatash të rëndësishme amerikane, përfshirë Bursën e Teksasit (Texas Stock Exchange), Patrullën Kufitare të SHBA-së (U.S. Border Patrol) dhe Task-Forcën për Sigurinë Kombëtare (Homeland Security Task Force).
Në agjendën e tyre janë edhe takimet me Korporatën për Zhvillim Ekonomik të McKinney-t, Komisionin Rinor, Bankën e Rezervës Federale, Këshillin e Energjisë, Dhomën e Tregtisë së Fort Worth-it dhe Zyrën e Prokurorit të Qarkut Dallas.
Përmes këtyre vizitave, pjesëmarrësit shqiptarë kanë mundësi të njihen me praktikat amerikane në sigurinë kufitare, zhvillimin ekonomik, sistemin financiar, energjinë dhe funksionimin e institucioneve të drejtësisë, shkruan Telegrafi.
Programi IVLP (International Visitor Leadership Program), i mbështetur nga Departamenti amerikan i Shtetit, është një mundësi për shkëmbimin e përvojave profesionale, krijimin e kontakteve dhe zhvillimin e bashkëpunimit ndërmjet pjesëmarrësve nga vende të ndryshme të botës.
Përfaqësuesit shqiptarë po vazhdojnë kështu përvojën e tyre në SHBA, me synimin që njohuritë dhe praktikat e fituara gjatë këtij programi t’i shërbejnë edhe zhvillimit të institucioneve dhe bashkëpunimit profesional pas kthimit në vend./Telegrafi/

