Përdorimi i rrjeteve sociale nga fëmijët dhe adoleshentët në Shqipëri mund të përballet me kufizime të reja. Nisma e propozuar nga kryeministri Edi Ramaka rikthyer në vëmendje diskutimin për vendosjen e një kufiri moshe për aksesin në platformat digjitale.
Propozimi synon të mbrojë të miturit nga rreziqet që mund të hasin në internet, ndërsa ekspertët ngrenë shqetësime për ndikimin që përdorimi i pakontrolluar i rrjeteve sociale ka në shëndetin mendor dhe zhvillimin e tyre, shkruan Tvklan.al, transmeton IndeksOnline.
Sipas specialistëve, ekspozimi i vazhdueshëm ndaj modeleve jorealiste në internet mund të ndikojë në vetëvlerësimin e adoleshentëve, duke shtuar rrezikun e ankthit, depresionit dhe pasigurisë personale. Një tjetër problem serioz mbetet bullizmi kibernetik, përfshirë rastet e ngacmimeve dhe abuzimeve me përmbajtje seksuale.
Megjithatë, realizimi i një ndalimi të tillë nuk shihet si një proces i thjeshtë. Një prej pengesave kryesore është verifikimi i moshës së përdoruesve. Aktualisht, Shqipëria nuk disponon një sistem të posaçëm identifikimi që të garantojë kontrollin e saktë të moshës gjatë krijimit të llogarive në platformat sociale.
Ekspertët e teknologjisë vlerësojnë se zbatimi i masës do të kërkojë mekanizma të posaçëm kontrolli, filtra monitorimi dhe përdorimin e inteligjencës artificiale për të identifikuar shkeljet. Sipas tyre, sfida bëhet edhe më e madhe për shkak të aftësive teknologjike të brezave të rinj, të cilët mund të gjejnë mënyra për të anashkaluar kufizimet.
Nga ana tjetër, përfaqësues të komunitetit të IT-së e konsiderojnë këtë ndërhyrje të domosdoshme, duke argumentuar se fëmijët përballen çdo ditë me përmbajtje të dhunshme, pornografike dhe materiale të tjera të papërshtatshme për moshën e tyre.

