Kombëtarja e Francës mund të përballet me një mungesë të rëndësishme në ndeshjen ndaj Italisë, pasi Kylian Mbappe nuk është stërvitur me pjesën tjetër të skuadrës.
Kapiteni francez ka qëndruar në trajtim individual, duke e bërë të pasigurt paraqitjen e tij në sfidën e së enjtes në Milano.
Sipas mediumit francez “Foot Mercato”, ende nuk ka një konfirmim për ndonjë lëndim të ri të sulmuesit, por stafi i Zinedine Zidane po e përcjell me kujdes gjendjen e tij.
Franca tashmë është pa disa futbollistë të rëndësishëm, përfshirë Thuram dhe Tchouameni.
Përveç shqetësimeve fizike, Mbappe po përballet edhe me një situatë delikate në raport me trajnerin Zidane.
Sipas raportimeve të “L'Equipe”, të publikuara përmes mediave franceze, mes tyre ka pasur mungesë komunikimi dhe mospajtime për rolin taktik të sulmuesit.
Mbappe dëshiron të luajë në qendër të sulmit, ndërsa Zidane fillimisht e kishte përdorur në krahun e majtë.
Trajneri francez tashmë ka lënë të kuptohet se mund t'ia plotësojë dëshirën kapitenit për ta aktivizuar në pozitën e preferuar.
Përballja me Italinë do të jetë një test i rëndësishëm për Francën, por edhe për raportin mes dy figurave kryesore të përfaqësueses. /Zëri

