KORREKT / SOT16 nëntor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Lajme

Shpresë për mbijetesën e rrëqebullit të Ballkanit, kamerat filmojnë një këlysh në Shebenik

Shpresë për mbijetesën e rrëqebullit të Ballkanit, kamerat filmojnë një këlysh në Shebenik

Një rrëqebull i rritur i Ballkanit, së bashku me këlyshin e tij, është filmuar nga kamerat kurth në Parkun Kombëtar të Shebenikut në Shqipëri.

Pamjet janë regjistruar gjatë vjeshtës, në kuadër të monitorimit kombëtar me kamera kurth, nga organizata për mbrojtjen e mjedisit PPNEA, në bashkëpunim me Administratën Rajonale të Zonave të Mbrojtura në Elbasan.

Sipas PPNEA-s, ky regjistrim përbën një dëshmi të rëndësishme të riprodhimit të rrëqebullit të Ballkanit në natyrë, në një kohë kur kjo specie vazhdon të jetë e rrezikuar në mënyrë kritike.

Organizata thekson se popullata e rrëqebullit të Ballkanit (Lynx lynx balcanicus) është e vogël dhe e fragmentuar, ndërsa përballet me disa kërcënime, përfshirë gjuetinë e paligjshme, humbjen dhe fragmentimin e habitateve, si dhe diversitetin e ulët gjenetik.

Prania e këlyshit konsiderohet shenjë inkurajuese për mbijetesën e kësaj specieje, megjithatë PPNEA sqaron se një regjistrim i vetëm nuk është i mjaftueshëm për të dëshmuar rritjen apo rimëkëmbjen e popullatës.

Ky regjistrim vjen në një moment të rëndësishëm për Programin e Rimëkëmbjes së Rrëqebullit të Ballkanit (BLRP), i cili po përgatitet për hapat e mëtejshëm të zbatimit të strategjisë për përforcimin gjenetik të popullatës.

PPNEA vlerëson se Parku Kombëtar i Shebenikut përbën një habitat jetik për këtë specie, pasi pyjet, burimet ushqimore dhe korridoret ekologjike janë thelbësore për lëvizjen, ushqimin dhe riprodhimin e saj.

Organizata ka bërë thirrje për mbrojtjen e tërësishme të ekosistemit të Shebenikut, duke theksuar se çdo ndërhyrje që dëmton habitatet apo ndërpret lidhjet ekologjike mund të rrezikojë mbijetesën e rrëqebullit të Ballkanit.

“Për rrëqebullin e Ballkanit, ruajtja e habitatit nuk është një zgjedhje mes alternativash. Është kusht për mbijetesë”, thuhet në reagimin e PPNEA-s./Telegrafi/

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.