KORREKT / SOT16 nëntor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Lajme

“Shprehim keqardhjen tonë, ne e mbështesim Kosovën në rrugën drejt BE-së” – Nga Komisioni Evropian flasin për lajmi.net në lidhje me këngën nacionaliste serbe

“Shprehim keqardhjen tonë, ne e mbështesim Kosovën në rrugën drejt BE-së” – Nga Komisioni Evropian flasin për lajmi.net në lidhje me këngën nacionaliste serbe

Kënga patriotike serbe “Oj Kosovo, Kosovo”, e cila përmban pretendime historike dhe politike serbe mbi Kosovën, është interpretuar në Bruksel, në prag të Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian (EU Enlargement Forum 2026), që organizohet nga Komisioni Evropian nën udhëheqjen e komisionares për Zgjerim, Marta Kos.

Në lidhje me këtë skandal, për lajmi.net kanë folur nga Komisioni Evropian.

Zëdhënësja e Komisionit Evropian përmes një përgjigje nga lajmi.net, kanë cituar komisioneren Marta Kos, e cila ka thënë se kënga është përzgjedhur nga grupi muzikor dhe nuk është miratuar nga Komisioni Evropian.

Në këtë përgjigje, ata kanë shprehur keqardhjen e tyre për këtë zgjedhje.

“Kjo prek ndjenjat e ndjeshme, veçanërisht duke pasur parasysh historinë e dhimbshme dhe përvojat e ndryshme të komuniteteve në Kosovë. Kjo këngë në asnjë mënyrë nuk pasqyron qëndrimin e Komisionit Evropian apo të Komisioneres Kos lidhur me Kosovën dhe historinë e saj”, ka thënë kjo zëdhënëse. 

Ajo gjithashtu ka thënë se nuk mund ta ndryshojmë të kaluarën e përbashkët, por mund ta zgjedhim të ardhmen e përbashkët, që ka thënë se është e ardhme evropiane, pa ndasi, ku secili ndihet si në shtëpinë e vet.

“Ne nuk po u kërkojmë njerëzve t’i harrojnë dallimet e tyre. Ne po ndërtojmë një Evropë ku dallimet nuk janë më arsye për të jetuar të ndarë. Siç tha njëri nga folësit në aktivitetin e djeshëm: dallimet janë të mira, ndasitë jo. Në këtë frymë, ne vazhdojmë ta mbështesim Kosovën në rrugën e saj drejt BE-së”, ka thënë zëdhënësja e Komisionit Evropian. 

Reagimet në lidhje me këtë këngë kanë qenë të shumta si nga akterë politikë ashtu edhe anëtarë të shoqërisë civile në vend.

Çka thotë kënga e interpretuar?

“Sa Kosova zora sviće”, vargu me të cilin nis kënga, në shqip përkthehet “Nga Kosova zbardh agimi”.

Kënga njihet më shumë përmes refrenit “Oj Kosovo, Kosovo” dhe është një prej këngëve patriotike serbe që lidhet drejtpërdrejt me narrativën historike dhe nacionaliste të Serbisë për Kosovën.

Ajo është shkruar në vitin 1989 nga kompozitori dhe këngëtari serb Ljubomir Ljuba Manasijeviq, në kohën e shënimit të 600-vjetorit të Betejës së Kosovës të vitit 1389.

Kënga u regjistrua në vitin 1990, ndërsa më vonë u bë veçanërisht e njohur në diskursin nacionalist serb për Kosovën.

Në tekstin e saj përmenden Graçanica, Vidovdani, princi Lazar dhe Millosh Obiliqi, figura të rëndësishme të traditës epike dhe fetare serbe. Por mesazhi politik bëhet edhe më i drejtpërdrejtë në vargjet ku thuhet se Kosova është tokë e tyre dhe se nuk do ta dorëzojnë.

Një version i kësaj kënge është publikuar më 27 qershor 2022 nga këngëtarja serbe Danica Crnogorčević, në bashkëpunim me grupin etno “Gorica”, me rastin e Vidovdanit.

Në prezantimin e këngës, ajo kishte përfshirë edhe një mesazh të mitropolitit Amfilohije, ku Kosova cilësohej si “zemra e zemrës” së popullit serb dhe si vend prej të cilit serbët nuk mund të heqin dorë.

Forumi i organizuar nga Komisioni Evropian synon të diskutojë të ardhmen e zgjerimit të BE-së, reformat, sigurinë dhe perspektivën evropiane të vendeve të rajonit.

Në këtë kontekst, interpretimi i një kënge me mesazhe të tilla për Kosovën ngre pikëpyetje për ndjeshmërinë politike të përzgjedhjes së repertorit artistik në një aktivitet që synon të promovojë bashkëpunimin dhe afrimin evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor. /Lajmi.net/

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.