Nga fëmijëria në Kosovën e pasluftës, te jeta dhe angazhimi në Staten Island të SHBA-së, Shpetim Qorraj synon të përfaqësojë Distriktin 64 në Asamblenë e Shtetit të Nju Jorkut, me mbështetjen e Partisë Demokratike.
Shpetim Qorraj është një emër i njohur në mesin e komunitetit shqiptar në Staten Island të Nju Jorkut. I lindur në vitin 1986 në Kosovë, ai ka ndërtuar një rrugëtim jetësor që përfshin sfida personale, arsimim, sipërmarrje dhe angazhim të vazhdueshëm në komunitet, shkruan Telegrafi.
Qorraj u rrit në fshatin Pëmishtë, në një periudhë të vështirë për Kosovën, të shënuar nga lufta dhe pasojat e saj. Fëmijërinë e kaloi i rrethuar nga familja dhe komuniteti, ndërsa që në shkollë u dallua për rezultatet e mira dhe përkushtimin ndaj mësimit.
Një nga ngjarjet më të rënda të jetës së tij ishte humbja e babait gjatë luftës, kur ai ishte vetëm 13 vjeç. Megjithatë, kjo përvojë, sipas rrëfimit të tij jetësor, u bë një shtysë për të vazhduar përpara dhe për të ndërtuar të ardhmen përmes arsimit dhe punës.
Pas përfundimit të shkollimit, Qorraj studioi drejtësi, ndërsa më vonë vazhdoi studimet master në të Drejtën Penale. Gjatë këtij rrugëtimi jetoi edhe në Suedi dhe Norvegji, përpara se të kthehej në Kosovë dhe të vazhdonte formimin e tij akademik.
Në vitin 2011, ai vendosi të emigrojë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku nisi një kapitull të ri të jetës. Atje njohu bashkëshorten e tij, Kathleen Durkin, me të cilën krijoi familje. Çifti ka dy djem, Ronan dhe Bren.
Nga sipërmarrja te angazhimi në komunitet
Pas vendosjes në SHBA, Qorraj iu përkushtua ndërtimit të karrierës profesionale dhe themeloi biznesin e tij. Më pas, së bashku me mikun e tij Kastriot Blakaj, bashkoi përvojën dhe angazhimin për të zhvilluar një kompani të bazuar në punën e palodhur, besimin, ndershmërinë dhe respektin.
Përveç aktiviteteve në biznes, ai ka qenë i angazhuar edhe në jetën e komunitetit, veçanërisht në Staten Island, ku ka marrë pjesë dhe ka organizuar aktivitete të ndryshme me pjesëmarrjen e qytetarëve, përfaqësuesve institucionalë, artistëve dhe liderëve të komunitetit.
Angazhimi i tij, sipas biografisë së publikuar, është shtrirë edhe në Kosovë, ku ka kontribuar në iniciativa për të ndihmuar familje, të rinj dhe organizata të ndryshme.
Qorraj beson se shërbimi ndaj komunitetit është përgjegjësi që kërkon përkushtim të vazhdueshëm, ndërsa rëndësi të veçantë i kushton bashkëpunimit, unitetit dhe krijimit të mundësive për gjeneratat e reja.
Kandidon për Distriktin 64 në Nju Jork
Tashmë, Shpetim Qorraj ka vendosur të bëjë një hap të ri në angazhimin e tij publik. Ai është kandidat për Asamblenë e Shtetit të Nju Jorkut në Distriktin 64, me mbështetjen e Partisë Demokratike.
Përmes kandidimit të tij, Qorraj synon të përfaqësojë banorët e këtij distrikti në nivel shtetëror, duke u fokusuar në çështjet që prekin familjet, punëtorët dhe komunitetin lokal.
Ai synon që zëri i qytetarëve të dëgjohet në Albany, qendrën e institucioneve shtetërore të Nju Jorkut, dhe që përfaqësimi politik të reflektojë nevojat dhe shqetësimet e banorëve.
Rrugëtimi i Shpetim Qorraj nga Pëmishti i Kosovës drejt Staten Island të Nju Jorkut është pjesë e një historie emigrimi, integrimi dhe angazhimi në jetën publike amerikane.
Si bashkëshort, baba, sipërmarrës dhe aktivist i komunitetit, ai tashmë synon ta vazhdojë këtë angazhim edhe në institucionet shtetërore të Nju Jorkut, duke garuar për një ulëse në Asamblenë e Shtetit./Telegrafi/

