Një shpërthim në një fabrikë fishekzjarrësh në provincën Hunan të Kinës ka vrarë 21 persona dhe ka lënë 61 të plagosur, sipas mediave shtetërore.
Shpërthimi në uzinën e fishekzjarrëve Huasheng ndodhi rreth orës 16:40 sipas orës lokale të hënën, në qytetin Liuyang, duke bërë që ekipet e shpëtimit të evakuojnë të gjithë ata që ndodhen brenda një rrezeje prej 3 km nga impianti.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, autoritetet vendosën gati 500 persona për të kryer operacione kërkim-shpëtimi dhe për të trajtuar të plagosurit, ndërsa robotët u përdorën për të ndihmuar në gjetjen e atyre që ishin bllokuar brenda ndërtesës.
Policia, e cila po heton shkakun e shpërthimit, ka marrë “masa kontrolli” kundër personit përgjegjës të kompanisë së fishekzjarrëve, raportoi media shtetërore kineze.
Autoritetet thanë se dy depo baruti brenda zonës së fabrikës përbënin një rrezik të lartë mes përpjekjeve të shpëtimit, raportoi media shtetërore.
Ndikimi i shpërthimit ishte aq shkatërrues saqë dritaret e një ndërtese banimi pranë fabrikës u thyen gjithashtu, vuri në dukje një gazetar i CCTV në një transmetim televiziv nga vendi i ngjarjes.
Mosha e të lënduarve varion nga të 20-at deri në të 60-at, dhe disa pësuan lëndime në kocka pasi u goditën nga mbeturinat fluturuese, tha raporti i CCTV.
Presidenti Xi Jinping ka kërkuar përpjekje të gjithanshme për të kërkuar njerëzit që janë ende të pagjetur dhe për të shpëtuar të lënduarit.
Xi gjithashtu bëri thirrje për një hetim të aksidentit për të vënë përpara përgjegjësisë ata që janë përgjegjës, raportuan mediat shtetërore. /Telegrafi/