Shoqata e Qumështoreve të Kosovës ka njoftuar se masat e ndërmarra nga Ministria e Bujqësisë kanë filluar të japin rezultatet e para, duke bërë që qumështi i fermerëve të grumbullohet në masë më të madhe.
Sipas kësaj shoqate, bazuar në informacionet nga terreni ende ka vështirësi në disa zona, veçanërisht në Podujevë dhe Vushtrri, ku një numër fermerësh vazhdojnë të përballen me mungesë të grumbullimit të prodhimit.
“Problem mbetet pjesa e Podujevës dhe Vushtrrisë, ku rreth 35 fermerë të Podujevës dhe rreth 30 fermerë të Vushtrrisë nuk po u grumbullohet ende qumështi. Janë rreth 5-6 tonë qumësht që ende nuk po grumbullohen”, thuhet në njoftimin e Shoqatës së Qumështoreve.
Shoqata u ka bërë thirrje përpunuesve të qumështit që të mbulojnë edhe këto zona, në mënyrë që e gjithë sasia e prodhuar nga fermerët të grumbullohet.
“U bëjmë thirrje përpunuesve të qumështit që mbulojnë atë pjesë që të grumbullojnë edhe atë sasi, në mënyrë që e gjithë sasia e qumështit të grumbullohet”, ka deklaruar shoqata.
Sipas tyre, kërkesa për qumësht pritet të rritet, ndërsa paralelisht duhet të rritet edhe prodhimi vendor. Megjithatë, ata theksojnë se disa probleme vazhdojnë të mbeten shqetësuese për sektorin, veçanërisht çmimi i grumbullimit dhe vonesat e pagesave ndaj fermerëve.
“Problem i madh vazhdon të mbetet çmimi i grumbullimit dhe vonesat e pagesave deri në gjashtë muaj, e në raste edhe më shumë”, thuhet në reagimin e Shoqatës.
Shoqata ka kërkuar gjithashtu ndalimin e përdorimit të vajit të palmës dhe qumështit pluhur në fabrikat përpunuese, duke e cilësuar këtë si të domosdoshme për stabilizimin e sektorit dhe mbrojtjen e prodhimit vendor.
“Vaji i palmës dhe qumështi pluhur duhet të ndalohen në fabrikat e përpunimit të qumështit. Rrugë tjetër nuk ka për stabilizimin e sektorit dhe kthimin e besimit të konsumatorëve vendorë”, thuhet në njoftim.
Shoqata ka theksuar se mbrojtja e industrisë së qumështit është njëkohësisht mbrojtje për fermerët, konsumatorët dhe ekonominë e vendit. /Telegrafi/
