Ka diçka të veçantë kur një ushqim që e pëlqeni shumë e përgatitni vetë në shtëpi
Ata mund të jenë zgjedhje e shkëlqyer për një darkë të lehtë, sidomos nëse dëshironi diçka të shpejtë, të ngrohtë dhe të shijshme për ta shoqëruar me një film.
Me një shtresë të lehtë e krokante rreth djathit, shkopinjtë e mocarelës skuqen shpejt në vaj vegjetal ose në yndyrë për skuqje, sipas dëshirës. Për fat të mirë, duhen vetëm pak minuta për të përgatitur një sasi të mirë. Por, duhet t’ju paralajmërojmë: zhduken nga pjata më shpejt se sa mund ta mendoni! – transmeton Telegrafi.
Përbërësit
▪ 450 g djathë mocarela nga qumështi i plotë
▪ 3 vezë të mëdha
▪ 3 gota galetë
▪ kripë
▪ borzilok, rigon, rozmarinë, hudhër pluhur dhe spec djegës
▪ vaj ose yndyrë për skuqje, sipas dëshirës
Përgatitja
Priteni bllokun e djathit në shkopinj me trashësi rreth 1.2 cm dhe lartësi rreth 2 cm. Për prerje më të lehtë, mocarelën mund ta vendosni paraprakisht për pak kohë në ngrirje.
Në një enë vendosni vezët, një çerek luge të vogël kripë, erëzat sipas shijes dhe një lugë gjelle ujë. Rrihini mirë derisa masa të bashkohet.
Në një enë tjetër vendosni galetën. Merrni një shkop mocarela, zhyteni fillimisht në vezë dhe lëreni të kullojë teprica. Pastaj kalojeni në galetë, shkundeni lehtë tepricën dhe vendoseni në një tabaka. Përsëriteni të njëjtën procedurë me të gjithë shkopinjtë e djathit.
Pasi të jenë mbështjellë të gjithë shkopinjtë, kalojini edhe një herë në vezë dhe pastaj në galetë, për një shtresë të dytë. Nëse dëshironi një mbështjellës më të fortë dhe më krokant, mund t’i kaloni edhe tri herë, por zakonisht dy shtresa janë të mjaftueshme për të parandaluar rrjedhjen e djathit gjatë skuqjes.
Vendosini shkopinjtë e mocarelës në ngrirje për të paktën dy orë.
Ngrohni vajin ose yndyrën për skuqje në 190 gradë Celsius. Mund të përdorni fritezë ose një tenxhere me fund të trashë. Yndyra duhet të jetë mjaftueshëm e thellë që shkopinjtë të skuqen në mënyrë të barabartë.
Skuqini shkopinjtë e mocarelës në disa tura, rreth dy minuta, derisa të marrin ngjyrë të artë.
Pas skuqjes, vendosini shkurt në letër kuzhine për të thithur yndyrën e tepërt dhe shërbejini menjëherë me salcë marinara ose me salcën tuaj të preferuar për zhytje.
Ju bëftë mirë! /Telegrafi/
