Ka shkuar në 19 numri i personave të lënduar gjatë protestës së 28 Nëntorit në Tiranë, të cilët kanë kërkuar ndihmë mjekësore në spitale.
Sipas bilancit të përditësuar të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Shqipëri, deri në orën 15:15, në Spitalin Universitar të Traumës janë paraqitur 17 persona të lënduar.
Në mesin e tyre janë pesë efektivë policie, katër përfaqësues të mediave, njëra prej të cilave shtetase e huaj, si dhe tetë protestues.
Ministria ka bërë të ditur se të gjithë personat e paraqitur në këtë spital janë në gjendje të qëndrueshme shëndetësore.
Ndërkaq, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” kanë kërkuar ndihmë mjekësore edhe dy persona të tjerë, një polic dhe një protestues.
Sipas bilancit të përgjithshëm, deri në orën 15:15 janë lënduar gjashtë efektivë policie, katër përfaqësues të mediave dhe nëntë protestues.

