Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, ka vlerësuar rëndësinë e KFOR-it për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në vend, duke theksuar se partneriteti me aleatët ndërkombëtarë mbetet kyç për sigurinë e Kosovës.
Këto komente Presidentja i bëri gjatë pjesëmarrjes në ceremoninë e ndërrimit të komandës së KFOR-it, ku u shpreh mirënjohëse për kontributin e ushtarakëve ndërkombëtarë që kanë shërbyer në Kosovë që nga viti 1999, shkruan lajmi.net.
Në fjalën e saj, Shiroka-Pula theksoi se gjatë viteve të fundit, me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë, institucionet e sigurisë së Kosovës kanë zhvilluar kapacitetet dhe kanë rritur përgjegjësitë e tyre.
“Historia e Kosovës është, në një pjesë të rëndësishme të saj, histori e partneritetit me aleatët tanë. Që nga viti 1999, KFOR-i ka qenë pjesë e këtij rrugëtimi, ndërsa sot, teksa institucionet tona të sigurisë po zhvillojnë kapacitetet dhe përgjegjësitë e tyre, ky partneritet mbetet i rëndësishëm për stabilitetin e vendit dhe për perspektivën tonë euroatlantike”, ka deklaruar ajo.
Presidentja ka theksuar se KFOR-i vazhdon të ketë rol të veçantë në arkitekturën e sigurisë së Kosovës, ndërsa prania e tij dhe bashkëpunimi me institucionet vendore kontribuojnë në sigurinë e përgjithshme dhe në besimin e qytetarëve.
Ajo ka thënë se zhvillimi i institucioneve të sigurisë dëshmon rezultatet e partneritetit ndërkombëtar, duke nënvizuar rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit me KFOR-in dhe partnerët e tjerë.
Shiroka-Pula ka riafirmuar gjithashtu se anëtarësimi në NATO mbetet synim strategjik i Kosovës.
“Synimi ynë strategjik për anëtarësim në NATO mbetet i qartë. Ne synojmë që, një ditë, Kosova të mos jetë vetëm përfituese e sigurisë, por edhe kontribuuese e drejtpërdrejtë në të”, ka thënë Presidentja.
Ajo ka shprehur mirënjohje për gjeneralmajorin Özkan Ulutaş për shërbimin dhe bashkëpunimin e tij, ndërsa komandantit të ri të KFOR-it, gjeneralmajorit Roberto Vergori, i ka uruar sukses në detyrën e re.
Në fund, Presidentja ka theksuar gatishmërinë e Kosovës për të vazhduar bashkëpunimin e ngushtë me KFOR-in, duke e cilësuar partneritetin me këtë mision si të rëndësishëm për ruajtjen e paqes dhe sigurisë në vend. /Lajmi.net/

