Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka përcjellë një mesazh me rastin e 28 Nëntorit, duke kujtuar ditëlindjen e komandantit legjendar Adem Jashari dhe daljen e parë publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Në mesazhin e saj, ajo e cilësoi 28 Nëntorin si ditë të kujtesës, krenarisë dhe nderimit për ata që kontribuuan për lirinë e Kosovës.
Ajo theksoi se dalja e parë publike e UÇK-së shënoi një kapitull të ri në rrugën e popullit të Kosovës drejt lirisë.
"28 Nëntori është ditë e kujtesës, e krenarisë dhe e nderimit për ata që i dolën zot lirisë së Kosovës. Në këtë ditë shënojmë ditëlindjen e Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe nderojmë daljen e parë publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që shënoi një kapitull të ri në rrugën e popullit tonë drejt lirisë. Sot, kur krerët e UÇK-së po përballen me procesin gjyqësor në Hagë, është e rëndësishme të mos harrohet thelbi i historisë sonë: UÇK-ja luftoi për lirinë e Kosovës. Përpjekja e një populli për të jetuar i lirë nuk mund të trajtohet si krim. Historia e një populli nuk mund të shkëputet nga e drejta e tij për liri. Adem Jashari dhe të gjithë ata që u flijuan për Kosovën mbeten pjesë e përhershme e lavdisë dhe e kujtesës sonë kombëtare. Lavdi dëshmorëve të kombit! Nderim luftës për liri!" – tha Shiroka Pula, njofton zyra e Presidentes.

