Në NATO detyrat janë të ndara: Komandant Suprem i Forcave Aleate në Evropë, me seli në Mons të Belgjikës, është gjithmonë një gjeneral ose admiral amerikan. Kryetari i Komitetit Ushtarak të NATO-s, me seli në Bruksel, ndërkaq, është tradicionalisht një oficer i lartë evropian (ose nga një vend jo-amerikan i aleancës, si p.sh. Kanadaja). Ky është posti i dytë më i rëndësishëm brenda strukturës operacionale të NATO-s. Këto ditë në këtë funksion është zgjedhur gjenerali gjerman Carsten Breuer. Ai këtë post të lartë të aleancës do ta marrë nga korriku i vitit 2027.
Gjatë konferencës së shefave ushtarakë në Kopenhagë, gjenerali 61-vjeçar nga Gjermania fitoi garën përballë shefes së Shtabit të Mbrojtjes së Kanadasë, Jennie Carignan. Me këtë zgjedhje, për herë të parë pas më shumë se dy dekadash, një oficer gjerman do të drejtojë këtë organ kyç të aleancës. Në këtë funksion, Breuer do të shërbejë si këshilltari kryesor ushtarak i Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, si dhe ndërlidhës mes strukturave ushtarake dhe trupave politike vendimmarrëse.
Në mediat kryesore gjermane përzgjedhja e tij vlerësohet si konfirmim i peshës së shtuar të Gjermanisë në arkitekturën evropiane të sigurisë.
Carsten Breuer hyri në Bundeswehr (armatën gjermane) në vitin 1984 dhe përfundoi shkollimin e rregullt të oficerëve dhe akademinë e shtabit të përgjithshëm në Gjermani dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Vëmendje të gjerë publike fitoi në fund të vitit 2021, kur qeveria federale e caktoi drejtues të Shtabit të Krizës kundër pandemisë në selinë e kancelarit gjerman. Mediat e përshkruan atë si organizator gjakftohtë, racional dhe me aftësi të larta zbatuese në situata emergjente. Në mars të vitit 2023, ministri i Mbrojtjes Boris Pistorius e emëroi atë Inspektor të Përgjithshëm të Bundeswehrit, duke e bërë ushtarakun më të lartë në vend.
Paraqitjet e tij publike përqendrohen te përgatitja e shpejtë e ushtrisë për mbrojtje kolektive, vendosja e përhershme e brigadës gjermane në Lituani për krahun lindor dhe parandalimi i kërcënimeve nga Rusia.
Breuer ka shërbyer edhe në Kosovë. Nga nëntori 2003 deri në shkurt 2004, me gradën nënkolonel i shtabit të përgjithshëm, ai shërbeu si komandant i trupave gjermane brenda Brigadës Shumëkombëshe Jug-Perëndim në kuadër të Kontingjentit të 8-të gjerman të KFOR-it me bazë në Prizren. Për këtë angazhim u nderua me Medaljen Ushtarake të NATO-s për KFOR-in.
Gjatë fushatës ajrore të vitit 1999 kundër regjimit të Beogradit, Breuer nuk ishte i dislokuar në Ballkan. Nga viti 1997 deri në vitin 1999, ai shërbente si oficer shtabi pranë Zëvendësinspektorit të Përgjithshëm të Bundeswehrit në Ministrinë Federale të Mbrojtjes në Berlin.
Breuer ka theksuar vazhdimisht se vëmendja e shtuar ndaj kërcënimit që vjen nga Rusia nuk duhet ta lërë në harresë sigurinë dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor. Gjatë vizitave të tij në selinë e KFOR-it në Prishtinë, ai ka ritheksuar përkushtimin e Gjermanisë për prani ushtarake, me qëllim parandalimin e tensioneve dhe ruajtjen e një mjedisi të sigurt në rajon.
Gjatë bombardimeve të NATO-s, kryetar i Komitetit Ushtarak të NATO-s ka qenë gjenerali gjerman Klaus Naumann. Ai qëndroi për vizitë në Beograd pak para fillimit të bombardimeve për të paralajmëruar diktatorin serb mbi pasojat e politikës së tij ndaj popullsisë së Kosovës. Më vonë Naumann dëshmoi në Tribunalin e Hagës kundër Sllobodan Millosheviqit.
Gjermani i fundit që ka shërbyer në këtë post ishte gjenerali Harald Kujat, i cili e drejtoi Komitetin Ushtarak të NATO-s nga korriku i vitit 2002 deri në qershor të vitit 2005. Pas daljes në pension dhe sidomos pas fillimit të luftës në Ukrainë, Kujat ka shkaktuar zemërim të thellë në mesin e bashkëpunëtorëve të dikurshëm ushtarakë, ekspertëve të sigurisë dhe mediave serioze. Kujat argumenton se shkaktari kryesor i luftës nuk është agresioni i Vlladimir Putinit, por zgjerimi i NATO-s drejt Lindjes dhe refuzimi i Perëndimit për të pranuar kërkesat e sigurisë së Rusisë. Në shkrime dhe intervista, ai ka arritur deri aty sa ta përshkruajë agresionin rus me eufemizmin zyrtar të Moskës si „operacion special ushtarak“, duke mohuar se Rusia synon pushtimin e plotë të territorit ukrainas. Gjenerali në pension Erhard Bühler (ish-komandant i KFOR-it në Kosovë) e ka kritikuar hapur dhe disa herë Kujatin për përhapje të lajmeve të rreme ushtarake dhe anashkalim të qëllimshëm të krimeve të luftës nga ushtria ruse. Gazeta zvicerane Neue Zürcher Zeitung (NZZ) e ka përshkruar kështu Kujatin: „Nga oficer i lartë i NATO-s në ‘gjeneral sovjetik’“.
Në lidhje me gjeneralin Breuer, NZZ shkruan: „Duke pasur parasysh përmbysjet gjeopolitike, Breuerin e presin detyra sfiduese. Qeveria Trump mund të vendosë deri në fund të vitit të tërheqë deri në 40’000 ushtarë nga Evropa. Që tani SHBA-ja po u kalon forcave ushtarake të shteteve evropiane më shumë përgjegjësi. Përveç kësaj, Amerika kërkon me ngulm që kontinenti evropian të bëjë më shumë për sigurinë e tij – si në aspektin financiar, ashtu edhe në atë ushtarak.
Breuerit i duhet pra të çojë përpara bashkëpunimin ushtarak të shteteve evropiane të NATO-s. Nga projektet e riarmatimit me vlerë prej miliarda eurosh të viteve të kaluara duhet të krijohen forca të armatosura të gatshme për veprim brenda kuadrit të NATO-s“.
Breuer është një mbështetës i vendosur i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK). Në fund të vitit 2024 Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, dhe gjeneral Carsten Breuer, nënshkruab në Berlin një marrëveshje dypalëshe në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë. Ky akt siguron përkrahjen e drejtpërdrejtë gjermane për Kosovën përmes mbështetjes politike, ushtarake dhe ligjore, me synim avancimin e kapaciteteve të FSK-së dhe anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare.
Gjatë takimit zyrtar, dy krerët ushtarakë trajtuan sfidat rajonale dhe globale të sigurisë, duke theksuar domosdoshmërinë e thellimit të bashkëpunimit operacional mes dy forcave të armatosura. Marrëveshja parashikon projekte konkrete në fushën e stërvitjeve të përbashkëta, shkollimit ushtarak, asistencës teknike dhe mbështetjes logjistike, duke e riafirmuar Gjermaninë si një nga partnerët më strategjikë në tranzicionin dhe fuqizimin e ushtrisë së Kosovës.
Përtej bashkëpunimit doktrinar, Gjermania përbën një nga mbështetësit më të mëdhenj materialë të FSK-së përmes donacioneve të vazhdueshme financiare dhe logjistike. Ndër ndihmat më të rëndësishme përfshihen flotat e kamionëve ushtarakë multifunksionalë taktikë Rheinmetall MAN me vlerë miliona euro, pajisje të specializuara për Qendrën Ndërkombëtare Trajnuese të Kërkim-Shpëtimit, mjete për deminim dhe materiale kundër lëndëve të rrezikshme, krahas financimit të pandërprerë të arsimimit të kadetëve të FSK-së në akademitë e Bundeswehrit./Telegrafi/