Oda e Inxhinierëve të Republikës së Kosovës (OIRK) ka kërkuar informata nga institucionet komunale të Prizrenit lidhur me shembjen e pllakës së betonit të armuar në një objekt në ndërtim, ku mbetën të lënduar disa punëtorë.
Në një reagim publik, OIRK ka shprehur shqetësim për rastin, duke theksuar rëndësinë e respektimit të standardeve profesionale dhe teknike gjatë realizimit të punimeve ndërtimore, me qëllim të garantimit të sigurisë në vendpunishte.
Oda ka bërë të ditur se u është drejtuar zyrtarisht Drejtorisë së Inspektorateve dhe Drejtorisë së Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor të Komunës së Prizrenit, duke kërkuar informata për lejen ndërtimore, inxhinierët përgjegjës për mbikëqyrjen profesionale dhe atë për udhëheqjen e punimeve në vendpunishte.
Sipas OIRK-së, këto të dhëna nevojiten për të verifikuar nëse janë respektuar dispozitat e Ligjit Nr. 08/L-012 për Odat e Arkitektëve dhe Inxhinierëve në Fushën e Ndërtimit, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me angazhimin e inxhinierëve të licencuar dhe përgjegjësitë e tyre profesionale.
Oda ka paralajmëruar se pas pranimit të informatave do ta shqyrtojë rastin nga aspekti i angazhimit dhe përgjegjësive profesionale të inxhinierëve të licencuar.
Nëse evidentohen dyshime të bazuara për shkelje profesionale, OIRK ka thënë se do të ndërmarrë veprimet përkatëse, në përputhje me kompetencat ligjore dhe rregulloret e saj.
Në reagim, Oda u ka uruar shërim të shpejtë punëtorëve të lënduar. /Telegrafi/

