Kërkesat që të rifillojë dialogu strategjik veçse janë adresuar tek shteti amerikan, sapo Presidentja Justina Shiroka-Pula mori detyrën e re.
Por, në Uashington, rinisjen e një dialogu të tillë me Kosovën, po thonë se po presin me interes, por vetëm atëherë kur të plotësohen kushtet e përshtatshme.
Në një përgjigje për Televizionin Dukagjini, një zëdhënës i Departamentit Amerikan, tha se Kosova ka zotime që duhet t’i përmbush në raport me serbët e Kosovës.
“Shtetet e Bashkuara e pezulluan për një kohë të pacaktuar dialogun strategjik SHBA–Kosovë në shtator të vitit 2025, për shkak të shqetësimeve lidhur me veprimet që kishte ndërmarrë qeveria e atëhershme në detyrë. Ne mbetemi të përkushtuar për avancimin e interesave të përbashkëta të Shteteve të Bashkuara dhe popullit të Kosovës. Presim me interes zhvillimin e një dialogu strategjik me Kosovën kur kushtet të jenë të përshtatshme, përfshirë përmbushjen nga Kosova të zotimeve të saj në raport me serbët e Kosovës”, thuhet në përgjigjen e DASH-it për Dukagjini.
Këtë përgjigje Departamenti amerikan i Shtetit, e dha një ditë pasi, presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, kërkoi nga senatorët amerikan Jeanne Shaheen dhe Dick Durbin në Prishtinë rifillimin e e këtij dialogu me SHBA-të.
Ky i fundit ishte pezulluar më 12 shtator të 2025-s, dhe lidhej me shqetësimet që amerikanët kishin lidhur me veprimet e Qeverisë në detyrë aso kohe, veçanërisht deklaratat kritikuese të zyrtarëve qeveritar ndaj Gjykatës Kushtetuese, kur kjo e fundit shqyrtoi vendimin e Kuvendit që të tejkalohej Lista Serbe duke mos u votuar nënkryetari nga ky subjekt, që përkrahet nga Beogradi.
Gjithashtu, atë kohë autoritet e sigurisë por edhe Qeveria ndërmorën disa veprime ndaj institucioneve paralele serbe që funksiononin në Kosovë.
Televizioni Dukagjini ka kërkuar përgjigje edhe nga Qeveria e Kosovës, nëse ka marrë masa për plotësimin e kushteve që po i kërkojnë Shtetet e Bashkuara, por deri në momentin e publikimi të këtij lajmi, nuk ka marrë përgjigje.
Dialogu strategjik me SHBA-në, Kosova në pritje të një sinjali nga Uashingtoni

