Ministria amerikane e Drejtësisë po e riklasifikon marihuanën e miratuar nga agjencia FDA dhe të licencuar nga shtetet federale në kategorinë e drogave më pak të rrezikshme, ka njoftuar të enjten ushtruesi i detyrës së ministrit të drejtësisë, Todd Blanche.
Kjo riklasifikim nuk do të thotë se marihuana do të legalizohet në nivelin e gjithë Shteteve të Bashkuara, raporton reuters.
Blanche në një postim në platformën X ka thënë se ministria “menjëherë po e zhvendos marihuanën e miratuar nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave (FDA) dhe e licencuar nga shtetet federale nga Lista I në Listën III”.
Ministria gjithashtu ka nisur një seancë urgjente për të shqyrtuar një riklasifikim më të gjerë të marihuanës brenda kategorive ligjore, thuhet në komunikatën zyrtare.
“Ky vendim për ndryshimin e kategorizimit mundëson kërkime mbi sigurinë dhe efikasitetin e kësaj substance, gjë që në fund do t’u ofrojë pacientëve kujdes më të mirë dhe mjekëve informacion më të besueshëm”, ka thënë Blanche.
Vendimi për riklasifikim përfaqëson një nga ndryshimet më të rëndësishme në politikën federale ndaj marihuanës në dekadat e fundit. Ai vjen pas një urdhri ekzekutiv të presidentit amerikan, Donald Trump në dhjetor, me të cilin i kërkohej ministrisë të lehtësonte kufizimet për marihuanën.
Ky hap pritet të ndryshojë industrinë e kanabisit duke ulur barrën tatimore dhe duke lehtësuar qasjen në financim, gjë që do të favorizojë kompani si Canopy Growth, Tilray Brands dhe Trulieve Cannabis.
Aksionet e kompanive të këtij sektori kanë shënuar rritje të fortë në bursat amerikane pas njoftimit, mes gjashtë dhe trembëdhjetë për qind.
Marihuana për vite me radhë ka qenë e klasifikuar në të njëjtën kategori me droga shumë më të forta si heroina, pavarësisht se pothuajse gjysma e shteteve amerikane e kanë legalizuar kanabisin në vitet e fundit. /Telegrafi/