Pentagoni po shqyrton një plan për tërheqjen e aeroplanëve, anijeve, armatimit dhe dhjetëra mijëra ushtarëve amerikanë nga Evropa, pavarësisht paralajmërimeve të aleatëve të NATO-s për kërcënimin në rritje nga Rusia.
Reduktimi mund të përfshijë rreth një të tretën e të gjithë trupave amerikane në Evropë, ose afërsisht 25 mijë ushtarë. Sipas disa zyrtarëve, shkurtimi mund të jetë edhe më i madh dhe të arrijë deri në gjysmën e trupave, pra rreth 40 mijë ushtarë, raporton NBC.
Nëse zbatohet, ky do të ishte reduktimi më i madh i pranisë ushtarake amerikane në Evropë që nga periudha pas përfundimit të Luftës së Ftohtë në vitet 1990. Aktualisht, në Evropë ndodhen rreth 80 mijë trupa amerikane.
Mundësia e një tërheqjeje të tillë ka shqetësuar ligjvënës amerikanë nga të dyja partitë, si dhe qeveritë evropiane, të cilat druhen se një hap i tillë mund ta inkurajojë Rusinë. Gjermania, Italia dhe Spanja pritet të jenë ndër vendet më të prekura, pasi aty ndodhet pjesa më e madhe e trupave amerikane në Evropë.
Që nga fillimi i mandatit të dytë, presidenti amerikan Donald Trump dhe zyrtarë të administratës së tij kanë kërkuar që Evropa të marrë rol më të madh në mbrojtjen e saj, ndërsa SHBA-ja të përqendrojë më shumë forca në kërcënimet që lidhen me Kinën, Iranin dhe probleme të tjera.
Pentagoni njoftoi në qershor se do të kryente një rishikim gjashtëmujor të pranisë ushtarake amerikane në Evropë.
Gjenerali Alexus Grynkewich pritet t’ia paraqesë analizën sekretarit të Mbrojtjes, Pete Hegseth. Vendimi përfundimtar ende nuk është marrë, ndërsa rekomandimi pritet t’i dorëzohet Hegseth më 6 nëntor, para se t’i paraqitet liderit amerikan. /Telegrafi/