Forcat amerikane goditën dhe çaktivizuan të shtunën një anije tregtare në Gjirin e Omanit, pasi ekuipazhi dyshohet se injoroi paralajmërimet e përsëritura dhe tentoi të shkelte bllokadën detare të Uashingtonit ndaj Iranit, njoftoi ushtria amerikane.
Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) bëri të ditur se një avion luftarak goditi pjesën e pasme të anijes M/V Ocean Molica, e cila lundronte nën flamurin e Panamasë dhe njihet gjithashtu si Arika Sun, duke i nxjerrë jashtë funksionit sistemin e lëvizjes. Sipas ushtrisë, asnjë anëtar i ekuipazhit nuk u lëndua.
CENTCOM tha se anija ishte nisur më herët nga një port iranian dhe po përpiqej të lundronte në ujërat e rajonit kur u ndalua nga forcat amerikane, transmeton Telegrafi.
Incidenti ndodhi në kuadër të bllokadës detare amerikane ndaj porteve iraniane, të cilën Uashingtoni e riktheu më 14 korrik, dy ditë pasi Irani njoftoi se kishte mbyllur sërish Ngushticën e Hormuzit, pas rifillimit të sulmeve amerikane më 8 korrik.
Sipas CENTCOM-it, gjatë tre muajve të zbatimit të bllokadës janë çaktivizuar katër anije tregtare dhe janë kthyer mbrapsht 135 të tjera. Gjatë së njëjtës periudhë, forcat amerikane kanë shkatërruar edhe dhjetë cisterna të lidhura me rrjetin e transportit të naftës së Gardës Revolucionare të Iranit (IRGC).
Ndërkohë, Operacionet Tregtare Detare të Mbretërisë së Bashkuar (UKMTO) njoftuan të dielën se një cisternë mori flakë pasi u godit në anën e majtë nga një objekt i panjohur në Ngushticën e Hormuzit. Ekuipazhi raportohet se është i sigurt.
Nga ana tjetër, IRGC-ja deklaroi të shtunën vonë se një supercisternë nafte kishte goditur një minë detare dhe kishte shpërthyer teksa po përpiqej të largohej nga ngushtica përmes një rruge të paautorizuar.
Deri më tani nuk është bërë e qartë nëse njoftimet e UKMTO-së dhe IRGC-së kanë të bëjnë me të njëjtën anije, apo nëse ndonjëri prej këtyre incidenteve lidhet me goditjen amerikane ndaj Ocean Molica.
CENTCOM-i u bëri thirrje anijeve tregtare që të respektojnë udhëzimet e bllokadës, ndërsa ekuipazheve që lundrojnë në Gjirin e Omanit dhe pranë Ngushticës së Hormuzit u kërkoi të ndjekin njoftimet detare dhe të mbajnë komunikim të vazhdueshëm me forcat detare amerikane.
Teherani, nga ana e tij, ka paralajmëruar se mund të godasë anijet që përdorin rrugë të ndryshme nga ato të përcaktuara prej autoriteteve iraniane ose që tentojnë të kalojnë ngushticën pa leje.
SHBA-ja dhe Izraeli nisën luftën kundër Iranit më 28 shkurt, e cila, sipas Teheranit, ka shkaktuar më shumë se 3,000 viktima. Irani u kundërpërgjigj me sulme që shkaktuan viktima amerikane dhe izraelite, përpara se në prill të arrihej një armëpushim.
Më pas, SHBA-ja kreu sulme të tjera ndaj objekteve iraniane, në një kohë kur negociatat mes Uashingtonit dhe Teheranit kishin ngecur, pavarësisht nënshkrimit të një marrëveshjeje kornizë në qershor.
Bisedimet vazhdojnë të jenë të bllokuara për shkak të mosmarrëveshjeve lidhur me lundrimin nëpër këtë korridor strategjik detar. /Telegrafi/